Doris Pack: Besa Luzhës t’i vijë turp!

Koordinatorja e organizatës joqeveritare gjermane “Friedrich Erbert Sttiftung” në Prishtinë dhe pedagoge e muzikës, Besa Luzha është kritikuar sot ashpër nga eurodeputetja Doris Pack, për shkak të deklaratës së saj për mundësinë e korruptimit të gjykatësit portugez, Almiro Rodrigues, si anëtar ndërkombëtar i Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. 

Lajme

27/08/2014 20:46

Në një postim të saj të sotëm në Twitter, Doris Pack ka shkruar se Besa Luzhës duhet t’i vijë turp për fajësimin e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese Rodrigues për korruptim dhe vendim të motivuar  politikisht.

Besa Luzha ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka qenë i ndikuar politikisht, pasi, sipas saj, tre gjyqtarë të këtij institucioni janë të lidhur me PDK-në, duke e përmendur me këtë rast edhe gjyqtarin Kadri Kryeziu, i cili nuk ka marrë pjesë në seancat e fundit të Kushtetueses.

Madje, sipas Luzhës, gjyqtari raportues, Almiro Rodrigues mund të jetë korruptuar me para, për shkak se gjendja ekonomike në Portugali nuk është e mirë.

Luzha ka theksuar se gjyqtari i emëruar nga Bashkimi Evropian, portugezi Almiro Rodrigues mund të jetë ndikuar, dhe këtë e ka lidhur me financa.

Këtë koment Luzha e ka bërë në një postim të ish ambasadorit gjerman në Kosovë, Ernest Reichel, i cili tani është i dërguar i kancelares Angela Merkel, dhe i cili ka kërkuar që të respektohet Gjykata Kushtetuese, duke thënë se raportues i lëndës nuk ka qenë i PDK-së, por një gjyqtar portugez.