Don Lush Gjergji: Kthejuni traditës ‘bukë, kripë dhe zemër’

Don Lush Gjergji tha se shqiptarët të cilët u janë bashkuar grupeve terroriste si IS dhe Al-Nusra, janë persona që janë mashtruar.

Lajme

24/12/2014 23:59

Ai në bisedën për Interaktiv të KTV-së tha se këta persona nuk duhet dënuar, sepse ata janë vëllezërit tonë.

Gjithsesi, ai shtoi se ata nuk përfaqësojnë fenë islame.

“Të vrasësh dikë është krim, të vrasësh dikë në emër të Zotit është krim i krimeve. Krijimin e Zotit po e shkatërrojnë në emër të Zotit”.

“Unë nuk di këtë çështje, ata nuk përfaqësojnë askënd, as vetveten. Ata janë raste të dështuara, të humbura, ata janë mashtruar nga varfëria, lakmia. Ne duhet t’i analizojmë dhe nuk duhet t’i dënojmë sepse janë vëllezërit tanë. Ne nuk jemi me të keqen që ata bëjnë, por ata janë vëllëzër shqiptarë. Duhet përkujdesur që ata të mos e njollosin popullin tonë me veprimet e tyre”.

Duke folur për eksodin nga Kosova drejt shteteve të Bashkimit Evropian, Gjergji tha se në natën e Krishtlindjeve, të gjithë duhet lutur për të gjithë qytetarët që tashmë ndodhen nëpër kampe të Hungarisë apo gjetiu.

Ai tha se askush nuk ikë nga e mira, por pohoi që gjendja në Kosovë nuk është aspak e mirë. Ai kërkon nga kosovarët që t’i kthehen traditës ‘bukë, kripë e zemër’ dhe jo të priren nga lakmia.

“Gjendja nuk është e lehtë dhe e mirë. Një pjesë e njerëzve struken, intelektualët, njerëzit e shkencës, kulturës dhe artit thuajse janë në heshtje. Një pjesë tjetër merret me oportunizmin e tepërt, duke u prirë nga lakmia ata duan t’ia marrin shpirtin këtij populli. Një pjesë tjetër mundohet të shfrytëzojë fatkeqësitë e këtij populli. Gjendja nuk është e përshtatshme me nevojat, dëshirat dhe kërkesat e popullit”.

“Ne shpresojmë dhe mundohemi të jemi zëri i Zotit dhe shpresës, që të udhëzojmë jo vetëm besimtarët, por të gjithë popullin e Kosovës. Duhet t’i kthehemi traditës shqiptare, bukë, kripë dhe zemër. Nga kjo traditë doli edhe motra jonë Nëna Tereze që e mahniti botën mbarë për të mirë”.

“Nuk ka gjë më të keqe se kur një popull bie në lakmi dhe mashtrohet me të mirat e përkohshme”.

“Askush nuk ik nga e mira, por sigurisht që është e dhimbshme dhe sot lutemi për të gjithë ata që janë nëpër kampe që ta presin sa më mirë këtë natë të shenjtë”.

“Porosia e Krishtlindjes është se Zoti vjen jo për të ndëshkuar, por për të shpëtuar dhe për të falur”, tha Don Lush Gjergji për KTV, transmeton lajmi.net.