Domosdoshmëria e ndryshimit

10:19 | 3 Tetor 2019

Foto nga: Blerim Shala

Potenciali për ndryshim politik, ekonomik dhe social ekziston në këtë vend. Gjithsesi, do të mund të jetohej më mirë në Kosovë.

Si do të duhej të bëhej Kosova? Si do të duhej të jetonin qytetarët e Kosovës? Si do të duhej të funksiononte Qeveria e Kosovës dhe të gjitha institucionet e pushtetit qendror?

Nuk ka qytetarë të Kosovës, e lëre më politikanë që synon dhe pretendon të jetë në krye të shtetit të Kosovës, që nuk i bën këto pyetje, të thuash për çdo ditë, jo vetëm sa herë që vet ai, së bashku me familjen e tij, përballet me probleme shumë konkrete, prej punësimit, shëndetësisë, arsimit, udhëtimit në Evropë, etj.etj.

Kosova është shtet, tash e njëmbëdhjetë vjet. Qytetarët e këtij vendi, që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës, me të drejtë kanë pritur shumë më tepër prej këtij shteti. Pritjet dhe shpresat mund të kenë qenë tej mundësive reale të organizimit politik dhe shtetëror të Kosovës, por secili prej nesh e dimë që përkundër të gjitha pengesave që na i kanë bërë të tjerët, edhe vet ne jemi treguar të aftë t’i ndërlikojmë gjërat dhe proceset evidente, të cilat kemi mundur t’i kalojmë tashmë.

Puna e liberalizimit të vizave të bie ndërmend menjëherë në këtë rast.

E dimë ku jemi tash dhe kush i ka përgjegjësitë që neve nuk po na ofrohet një e drejtë e merituar, por realisht, po ta zinim momentin  (tre vjet më parë), tash e dy vjet, së paku, ne do të udhëtonim pa viza në Evropë.

Sidoqoftë, nuk na duhet pesë minuta debat në mes nesh, qofshim vetëm qytetarë të thjeshtë apo politikanë, për ta hartuar së bashku Listën e detyrave, jetësimi i të të cilave do ta kishte domethënien e stabilizimit afatgjatë të Kosovës.

Por, nuk është obligim i qytetarëve që pasiqë do të bëhej gati kjo Listë, me një shtet që funksionon 24 orë, me një sundim të ligjit për të gjithë, me një rritje të puësimit dhe zhvillim ekonomik, me një Kosovë që bëhet shtet anëtar i OKB-së, me qytetarët e saj që fitojnë lirinë e lëvizjes gjithkund në Evropë, ata, si qytetarë, të përpiqen për jetësimin e gjithë këtyre objektivave.

Obligimi i tyre është natyrisht ta respektojnë rendin dhe ligjin.

Politikanët, sepse kështu është kudo në Botën demokratike, janë ata që do të duhet të bëjnë të mundur që këto synime të përbashkëta të realizohen.

Gara për një ulëse në Kuvendin e Kosovës, e cila ka hyrë në ditët e fundit të saj para votimit të 6 tetorit, ka kuptim vetëm nëse liderët dhe partitë e tyre, janë të gjendje të ofrojnë rrugët e qarta për të mbërri sa më parë që është e mundur në këtë cakun e përbashkët.

Sidoqoftë, si këtu tek ne, ashtu edhe kudo në shtetet me demokraci parlamentare, fushatat elektorale marrin atë trajtën e premtimeve marramendëse, të cilat nuk kanë të bëjnë gjë me realitetin, përmes të të cilave ata që i bëjnë ato, mundohen me çdo kusht që t’i përmirësojnë gjasat për një rezultat më të mirë zgjedhor.

Problemi është që kur të përzihen ofertat dhe premtimet që megjithatë, janë të bazuara në realitet, me ato që janë të denja për fantastikë shkencore, qytetari i rëndomtë që përpiqet të merr vesh çka po bëhet me këto zgjedhje, nuk ka si të mos hutohet dhe të humbë besimin që Kosova pas 6 tetorit, si shtet, si vend, si shoqëri, do të mund të ndryshojë për të mirë.

S’do mend që ndryshimi është fjala që i bashkon të gjithë liderët dhe partitë tona, të gjithë qytetarët e këtij vendi.

Potenciali për ndryshim politik, ekonomik dhe social ekziston në këtë vend.

Për pak muaj, mund të fitohet Liberalizimi i vizave. Vitin e ardhshëm mund të arrihet Marrëveshja me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve. Një vit më pas, Kosova mund të bëhet anëtare e OKB-së. Rruga për në BE dhe në Paktin NATO, do të mund të hapej plotësisht për ne, në atë rast.

Kosova do ta fitonte atë qëndrueshmërinë afatgjatë politike, e cila do të reflektohej pastaj edhe në investimet nga jashtë, edhe në zhvillimin ekonomik dhe në rritjen e të punësuarve.

Dhe për të gjitha këto, kemi një përkrahje të madhe të SHBA-së dhe të Perëndimit në përgjithësi.

Gjithsesi, do të mund të jetohej më mirë në Kosovë.

(Autori është kolumnist i rregullt i lajmi.net)