Dokumentet e ndjeshme të AKI-së mbikëqyren nga njerëz të paverifikuar

Agjencia Kosovare e Inteligjencës do të mbikëqyrët nga njerëz, të cilët nuk do t’i nënshtrohen verifikimit nga ky institucion. 

Lajme

21/12/2014 19:28

Anëtarët e komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e kësaj agjencie do të kenë qasje në informata të ndryshme, pa iu nënshtruar fare verifikimit të sigurisë, raporton KTV.

Verifikimin e deputetëve, anëtarë të këtij komisioni, e kishte kërkuar me ngulm ish-kryetari i këtij komisioni, Florin Krasniqi.

Ai në legjislaturën e kaluar kishte kërkuar nga Jakup Krasniqi verifikimin e anëtarëve të komisionit, por një veprim i tillë nuk kishte ndodhur.

Ndonëse do të kenë në dorë informacione të ndjeshme, kryetari i ri i komisionit për mbikëqyrjen e punës së AKI-së, Haxhi Shala, nuk sheh ndonjë nevojë që deputetet të kalojnë verifikimin e sigurisë.

Shala thotë se komisioni do të rrisë aktivitetin dhe se do të kërkojë llogaridhënie më të madhe nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë.

Ndërkohë, Fadil Demaku, ish-anëtar i këtij komisioni, që ishte i zëshëm për skandalet që e kishin përfshirë AKI-në, thotë se s’është që deputetëve t’iu bëhet asnjë verifikim.

Gjatë muajve të kaluar, derisa Kosova përjetoi krizë institucionale dhe parlamenti ishte jofunksional, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë mbeti pa mbikëqyrje dhe shpesh ishte në ballinat e medieve për skandale të ndryshme.

Mirëpo, tani, nga kjo javë, kjo agjenci do të ketë mbikëqyrje, pasi kuvendi ka votuar për përbërjen e re të komisionit për mbikëqyrjen e AKI-së.

Përveç Haxhi Shalës, nga Nisma, që është kryetar, disa nga anëtarët tjerë do të jenë: Rrustem Berisha i AAK-së, Nuredin Lushtaku dhe Rafet Rama të PDK-së, Sadri Ferati i LDK-së dhe Aida Durguti nga radhët e Vetëvendosjes, raporton KTV.