DOKUMENT- Avokati deklarohet për urdhrin-mbrojtës që tha se iu vendos Astrit Isufit që të mos i afrohej gruas së tij

Në derë të shtëpisë e nga duart e dhëndrit u vranë dje dy vëllezërit, Naim dhe Driton Morina. Driton dhe Naim Morina u vranë nga dhëndri i tyre, Astrit Isufi. Ngjarja tragjike që goditi dy familjet dhe gjithë vendin, pastaj nxori në pah edhe shumë të vërteta të tjera që rëndonin mbi jetën e gruas…

Lajme

07/11/2025 14:43

Në derë të shtëpisë e nga duart e dhëndrit u vranë dje dy vëllezërit, Naim dhe Driton Morina.

Driton dhe Naim Morina u vranë nga dhëndri i tyre, Astrit Isufi.

Ngjarja tragjike që goditi dy familjet dhe gjithë vendin, pastaj nxori në pah edhe shumë të vërteta të tjera që rëndonin mbi jetën e gruas së Astrit Isufi dhe dy familjeve- Morina nga Malisheva dhe Isufi nga Drenasi.

Gruaja e Astrit Isufit, emër i njohur për redaksinë e lajmit ishte rrahur disa herë radhazi nga burri i saj, madje në një rast dy herë brenda ditës duke përdorur edhe kabllo të rrymës mbi trupin e të njëjtës.

Por jo vetëm kaq. Astrit Isufi përpos që e rrahu atë e kërcënoi se do t’ia vrasë anëtarët e familjes duke e paralajmëruar për një gjë të tillë disa herë.

Gruaja kishte alarmuar se i njëjti posedon edhe armë, por pavarësisht se ishte arrestuar e burgosur ai u lirua shpejtë.

Avokati i gruas së Astrit Isufit ka deklaruar sot se ajo ishte kthyer për të qëndruar për t’i parë fëmijët.

“Ai ka qenë në vuajtje të dënimit dhe ajo është kthyer tek fëmijët, e vet, ai nuk ka qenë aty”, ka thënë Morina.

Poashtu, Morina ka theksuar se ndaj Isufit pati për një vit urdhër-mbrojtës që të mos i afrohet gruas së tij.

“Për një vit burri i saj dhe familja e tij patën për një vit urdhër-mbrojtës që të mos e shqetësojnë atë dhe as fëmijët”, shtoi ai.

“Çfarë ka ndodhur me urdhër-mbrojtës më nuk e di?”, deklaroi avokati Morina.

Lajmi.net ka siguruar edhe një pjesë nga dokumenti që lidhet me kërkesën që avokati deklaroi se i ishte bërë gruas së Isufit.

Në këtë aktvendim thuhet se ishte aprovuar kërkesa.

Pavarësisht kësaj, Isufi jo vetëm që u afrua por edhe i vrau dy vëllezërit e gruas së tij.

Familjarë të shumtë sot mblidhen për t’u dhënë lamtumirën e fundit vëllezërve Morina të cilët erdhën në Kosovë për të mbajtur të pamet e babait. Detaje shtesë në lidhej me këtë rast do të publikohen gjatë ditëve në vazhdim.

Astrit Isufi tanimë është i arrestuar dhe gjendet në QKUK, ku po merr trajtim për plagët në  pjesën e abdomenit./Lajmi.net/

E rrahu dy herë brenda ditës me kabllo të rrymës dhe e kërcënoi se do ia vrasë familjarët- Detaje se si Astrit Isufi kishte urdhër të mos i afrohet gruas