Dogana shpëton shtetin dhe konsumatorët, konfiskon 3,500 veshje tekstili

Zyrtarë të Doganës bëjnë të ditur se bëhet fjalë për mallra kontrabandë nga Zvicra. Jo zyrtarisht mësohet se kamioni me tekstil të kontrabanduar destinacion kishte Prishtinën. Pos që malli u tentua të futej kontrabandë, 3,500 veshje tekstili ishin modele të vjetra, të cilat po të dilnin në tereg do të shiteshin për para të majme.

Lajme

04/05/2015 23:46

Një maune të madhe oficerët doganorë në terminalin në Ferizaj kanë arritur që të kapin brenda së cilës gjendej një sasi e madhe e tekstilit të kontrabanduar nga Zvicra.

Rrobat e modeleve të vjetra, kontrabandisti është përpjekur t’i sjellë në Kosovës si modele të reja. Shqetësuese për doganierët është mënyra e përpjekjes për kontrabandimin e tyre.

“Fatkeqësisht kemi biznese që tentojnë të fshehin mallrat e tyre, siç po shihet në këto mallra të përziera kemi gjetur një sasi të konsiderueshme të mallrave të tekstilit, që tërësisht kanë qenë të padeklaruara dhe ka qenë në tentim për t’u kontrabandu”, është shprehur për RTK-në, Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganës së Kosovës.

Sipas Stavilecit, në këtë maune ishin të fshehura dhe tentohej të kontrabandoheshin mbi 3,500 lloje të tekstilit të firmave të njohura Armani, Pierr Bllmain, Maxmara, Burbery, Moshcino, Cavalli, Dondup e të tjerë.   “Për momentin nuk kemi një vlerë të saktë të këtij malli për shkak se njësitet e specializuara janë duke punuar në këtë rast”, shtoi Stavileci. Zyrtarët doganorë nuk e kanë bërë të ditur adresën e biznesit ku do të shkonin këto mallra. Në ndërkohë, RTK jo zyrtarisht mëson se ky tekstil i kontrabanduar destinacion kishte Prishtinën. Sipas burimeve, bëhet fjalë për modele të vjetra dhe që blihen në ankande publike në shtetet evropiane, por që kosovarëve u shiten me çmime të larta.