Dodë Gjergji uron besimtarët myslimanë për Fiter Bajram

Ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtinë, Imzot Dodë Gjergji, për shkak të situatës me pandemi duke mos mundur të vizitojë kryemyftiun e Kosovës, Naim Tërnava i është drejtuar me një letër për ta uruar atë dhe të gjithë besimtarët myslimanë për Fiter Bajram.

Lajme

23/05/2020 11:41

Ipeshkvi Gjergji shkruan se “askush më mirë se ne nuk mund të kuptojë dhimbjen tuaj dhe trishtimin e besimtarëve që duhet të mos faleni në xhami as në këtë natë të madhe të Ramazanit. Të njëjtën dhimbje dhe trishtim e kam përjetuar edhe unë me besimtaret dhe besimtarët e krishterë, kur muajin e kaluar kremtuam Pashkët, Ringjalljen e Krishtit!”.

Dodë Gjergji ka uruar që festimi i Bajramit të begatojë të gjithë besimtarët myslimanë në Kosovë si dhe ka uruar që Krijuesi me mëshirën e Tij të pranojë sakrificën e agjërimit.

“Uroj, që festimi i Bajramit të ju begatoj ju dhe gjithë besimtarët myslimanë në Kosovë e kudo tjetër. Krijuesi me mëshirën e Tij iu pranoftë sakrificën e agjërimit dhe Ju resittë me dhuntitë e bekimet e veta, në mënyrë që paqja, dashuria, falja dhe pajtimi të jenë të bollshme në familjet tuaja dhe në vendin tonë”, thuhet në urimin e Dodë Gjergjit. /Lajmi.net/