Do t’vazhdojmë me Dr. Palin

Ramush Haradinaj tha se është i bindur në fitoren e Pal Lekajt. Ai tha se vetëm partia e tij ka një ofertë të vërtetë për Gjakovën.

Lajme

31/10/2013 13:34

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës përmbylli fushatën e saj elektorale në Gjakovë. Kreu i AAK’së tha se oferta më e mirë është ajo e partisë së tij dhe tha se sot ata kanë vendosur që t’ia japin edhe një mandat Pal Lekajt.

“Kryetari Pal Lekaj ka punuar me kujdes dhe është interesuar çdo ditë për Gjakovën. Gjithë kohën e qeverisjes së tij ka punuar për Gjakovën. Ka ditur të respektojë në mënyrën më të mirë, vlerat e kësaj treve. Ai ka punuar për secilin”.

“Sot e kemi marrë një vendim që t’i japim edhe një mandat kryetarit Lekaj, që ai të qeverisë ne emër tonin, në emër të gjithë neve. Sot kemi vendosur të rrugëtojmë edhe një pjesë të kohës bashkë. Ju premtoj ditë më të mira”.

“Të tjerët nuk kanë oferta të vërteta, ose kanë oferta që thirren në to, ato janë mashtrime. Ne e kemi ofertën e vërtetë”.

Ai tha se në vitin e ardhshëm kur pret që të bëhet Kryeministër, Gjakova do të vendosë edhe për Kosovën dhe se ky qytet do të ketë një autostradë të re.

“Nesër Gjakova do të vendosë edhe në Prishtinë për Kosovën. Jam i bindur në mesin e vitit që vjen ne do të takohemi në punë shumë më të mëdha”.

“Gjakova do të lidhet me autorrugë në tri drejtime, në drejtim të Prizrenit, Pejës, Klinës dhe në drejtim të Prishtinës”.

Nexhat Daci, partneri i koalicionit nga LDD, tha se Gjakova po dërgon mesazhe të mira për krejt Kosovën, që dhe të tjerët të besojnë në Aleancën për Kosovën.

“Me këtë po i përforconi bindjet e Ramushit dhe koalicionit AAK-LDD, që me Gjakovën vërtet të ecim drejt zhvillimit të vet në të gjitha sferat e jetës”.

“Gjakovë, telefonoje Kosovën se shpresa po i kthehet Kosovës, pranvera do të jetë e Aleancës për Kosovën, prandaj Ramush dhe Pal, urime”.

“Gjakova pa ndihmën e shtetit të Kosovës, pa ndihëm e Qeverisë qendrore po dëshmon se askush nuk e ka asnjë arsye që të mos vazhdohet kjo rrugë me doktor Palin për kryetar për një kohë të gjatë”.

Kandidati për kryetar të Gjakovës, Pal Lekaj kërkoi votën e gjakovarëve duke u thënë atyre  se duhet votuar numri i shpresës dhe i rritjes ekonomike.

“Ne do të vazhdojmë edhe 4 vite jo për inate të individëve të caktuar, jo për ndarje por për një familje të madhe që quhet Gjakovë dhe unë përkulem para të gjithë atyre që kanë ditur të na mbështesin”.

“Votoni numri e fatit, numrin e shpresës, numrin e mirëqenies, numrin e zhvillimit”.

E për kundërkandidatët e tij tha se ata kanë zgjedhur rrugën e gabuar dhe të verbër.

“Nga kundërkandidatët e mi kam dëgjuar shumë fjalë që e kanë zgjedh një rrugë jo të drejtë një rrugë të verbër, që asgjë të mirë nuk kanë parë në qytet dhe zona rurale dhe duhet të jesh shumë i verbuar që të mos t’i shohësh të arriturat që kanë ndodhur në Gjakovë”.

“U them atyre kundërkandidatëve që vijnë një herë në katër vjet dhe mendojnë që të bëjnë mrekullira apo të jenë shpëtimtarë të Gjakovës. Kanë pasur pozita më të larta por asgjë nuk kanë sjellë në Gjakovë përpos frenimit.”