“Do të përfundojmë keq, shpirt” Zbardhen bisedat mes Hysenit me Agasin, ajo u pyet në SPAK për materialet sekrete të SHISH që u gjetën në makinën e tij
SPAK ka zbardhur komunikime mes ish-drejtueses së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hysenit, dhe Ergys Agasit, duke ngritur dyshime për një marrëdhënie personale mes tyre, si dhe për komunikime të vazhdueshme lidhur me çështjen penale ku është përfshirë Agasi. Në komunikimet e siguruara nga hetuesit, sipas informacioneve të bëra publike, shfaqen edhe shprehje të tilla…
Lajme
SPAK ka zbardhur komunikime mes ish-drejtueses së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hysenit, dhe Ergys Agasit, duke ngritur dyshime për një marrëdhënie personale mes tyre, si dhe për komunikime të vazhdueshme lidhur me çështjen penale ku është përfshirë Agasi.
Në komunikimet e siguruara nga hetuesit, sipas informacioneve të bëra publike, shfaqen edhe shprehje të tilla si: “Zemër, thjesht duhet të koncentrohemi te halli jot”, “Të gjithë ne” dhe “Do përfundojmë keq, shpirt”.
Sipas SPAK, përtej dyshimeve për lidhjen personale, Hyseni dyshohet se është përfshirë edhe në çështjen penale të Agasit, duke shfaqur gatishmëri për ta ndihmuar dhe duke vënë në dispozicion cilësitë e saj zyrtare dhe kapacitetet institucionale që drejtonte.
Mësohet se javën e kaluar, SPAK ka marrë në pyetje Vlora Hysenin. Gjatë dëshmisë së saj, ajo ka pranuar se ka pasur komunikime me Ergys Agasin dhe se prej tij ka marrë informacione të lidhura me Shërbimin Informativ të Shtetit.
Megjithatë, Hyseni ka mohuar të ketë takuar fizikisht Agasin apo të ketë bashkëpunuar me të.
Ndërkohë, sipas të dhënave të hetimit, Ergys Agasi rezulton se në pjesën më të madhe të kohës ka qëndruar në vilat qeveritare, ku për ushqimin e tij dyshohet se është ndihmuar nga Embo Sulejmani. Ky i fundit rezulton të ketë qenë një kontakt i drejtpërdrejtë i Agasit, bazuar edhe në komunikimet e gjetura në telefonat celularë.
Burime ekskluzive për Report Tv thonë se drejtuesja e SHISH, Vlora Hyseni u mor në pyetje nga SPAK më 18 shtator, pasi në makinën e biznesmenit Ergys Agasi u gjetën 9 faqe wordi me të dhëna sekrete të SHISH.
Të njëjtat burime thonë se para prokurorëve të Posaçëm, Vlora Hyseni ka pranuar se ka pasur komunikim të vazhdueshëm me me Ergys Agasin deri ditën e arrestimi, duke pretenduar se ai ka qenë bashkëpunëtor i SHISH. Vlora Hyseni tha në SPAK se për diagramat e SHISH të gjetura në makinën e Agasit do kthente përgjigje me shkrim.
Gjithashtu raportohet se Vlora Hyseni e njoftonte Ergys Agasin edhe për takimet e punës me Kryeministrin dhe Drejtorin e Policisë, si dhe ndante edhe informacione për emërime të mundshme politike.
Kjo e fundit ka pretenduar se Agasi ishte bashkëpunëtor i saj dhe se kishte komunikime të vazhdueshme me të të përmes celularit, por ndryshe thotë akuza.
Në provat që SPAK ka depozituar në Gjykatë për kërkesën për të caktuar masë sigurisë, thotë se Ergys Agasi nuk kishte vetëm rolin e bashkëpunëtorit, por merrte dhe i diktonte kreut të SHISH informacionin që i duhej.
Siç bëjnë me dije burime për Report Tv, Agasi dhe Hyseni komunikonin përmes aplikacionit “Signal”. SPAK thote se “për të ashtuquajturin bashkëpunëtor, Kreu i SHISH nuk ka vënë në dijeni asnjë nga instancat qoftë dhe paralele apo brenda institucionit”