Do ta kemi Kryetarin me të parën

Aleksandar Vulin shprehet i kënaqur me atmosferën në të cilën po mbahet procesi zgjedhor në Veri të Mitrovicës. Pas një vizite që i bëri 3 qendrave të votimit, ai është i bindur se Kryetari i Komunës së Veriut të Mitrovicës do të zgjidhet që në raundin e parë.

Lajme

17/11/2013 09:48

(E Plotësuar: 13:00)

Ministri pa Portofol i Serbisë i ngarkuar për Kosovë, Aleksandar Vulin, ka deklaruar se është krenar me pjesëmarrjen e qytetarëve serbë në rivotimin e sotëm në Veriun e Mitrovicës.

Pas vizitës që i ka bërë tre qendrave të votimit atje, Vulin ka thënë për Tanjug se është i kënaqur me procesin zgjedhor, i cili po zhvillohet në një ambient të qetë, ku qytetarët do të mund të votojnë pa frikë, presion, dhunë dhe pa parregullsi të plotësojnë obligimin e tyre qytetar.

“Kjo është një festë jona. Serbët e Veriut të Mitrovicës dhe të mbarë Kosovës kanë vendosur që t’i dëgjojnë të gjithë ata që ua dëshirojnë të mirën, përfshirë Kryetarin e Serbisë, Qeverinë Serbe, patriarkun si dhe Kryetarin e Republika Srpska’s”.

Ai është shprehur i bindur se me një trend të tillë të pjesëmarrjes, do të ketë mundësi që Kryetari i Komunës së Veriut të Mitrovicës të zgjidhet që në raundin e parë.

 

Normalisht, Kryetar Serb

Ministri pa Portofol në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin ka vizituar disa nga qendrat e votimit në Mitrovicën Veriore, ku deri më tani po zhvillohet një proces i qetë zgjedhor.

Zyrtari i lartë i Qeverisë së Serbisë deklaroi para mediave se gjithçka është duke shkuar mirë deri tash.

“Për dallim nga zgjedhjet e 3 nëntorit edhe procedura e votimit ka një rrjedhë normale”.

Ai është shprehur optimist se një frymë e tillë e votimit do e përcjellë këtë ditë deri në përmbyllje të vendvotimeve.

Në pyetjen se a do të pranohen rezultatet nëse garën e fiton Agim Deva, Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Vulin ka thënë se logjike është që në ambient ku shumica janë serbë, kryetari i tyre të jetë serb.

Sipas tij, një gjë e tillë është e përcaktuar edhe me marrëveshjen e Brukselit.

Vulin, po ashtu, u shpreh të jetë krenar që ndodhet në Mitrovicë dhe me mënyrën se si qytetarët po i përgjigjen apelit të të gjithë njerëzve të cilët mendojnë për të mirën e këtushme.

“Vërtet sot mund të jemi krenarë që ndodhemi në Mitrovicë. Shpresoj se ky trend do të vazhdojë. Dalja e qytetarëve është shumë e mirë dhe mund të themi se në orën 19:00 zgjedhjet kanë përfunduar me sukses, pa asnjë incident, pa asnjë dyshim në korrektësi të zgjedhjeve dhe pas gjithë kësaj ta urojmë kryetarin e ri të Mitrovicës”.

Ai ka pohuar se pas këtyre zgjedhjeve pret stabilitet, proces të konstituimit të komunës dhe që pastaj menjëherë të fillohet me punë në formimin e Bashkësisë së Komunave.