“Do nënshkruajmë marrëveshje me UP-në”, ministri Aliu tenton ta arsyetojë marrëveshjen që bëri me UBT-në

Ministri i Infrastrukturës Liburn Aliu ka reaguar në Facebookun e tij lidhur me një marrëveshje skandalozë që sot i njëjti e ka nënshkruar me UBT-në, universitet ku vet ministri, por edhe kryekëshilltarja e tij Rineta Jashari e pranishme në nënshkrimin e kësaj marrëveshje, punojnë e marrin pagë.

Lajme

20/04/2022 17:08

Lajmi.net ka raportuar lidhur me këtë marrëveshje, por ministri Aliu ka reaguar në Facebook duke tentuar të arsyetohet se një marrëveshje e tillë do të nënshkruhej edhe me Universitetin e Prishtinës, por që është shtyrë për ditën e nesërme, shkruan lajmi.net.

Ai ka thënë se bashkëpunimi me universitetet, profesorët e studentët do të sjellë energji të reja në Ministrinë që ai drejton.

“Në asnjë mënyrë, qasja jonë nuk është selektuese e as diskriminuese apo favorizuese, por në përputhje me të mirën publike dhe me strategjinë e Ministrisë, në interes të projekteve zhvillimore të cilat i kemi në plan t’i realizojmë.”, ka thënë Aliu.

Ky është statusi i tij i plotë:

Të nderuar qytetarë, ju falënderoj që po shprehni shqetësimin tuaj në lidhje me raportin e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës me Universitetet Publike.
Për të qenë të saktë dhe transparentë, sot ka qenë e planifikuar që të nënshkruhet marrëveshja me Universitetin e Prishtinës. Përkundër vullnetit tonë, në pamundësi për të realizuar këtë sot, nënshkrimi i bashkëpunimit me UP është shtyrë për ditën e nesërme.
Bashkëpunimi me universitetet, profesorët dhe studentët, do të sjellë ide dhe energji të reja, por mbi të gjitha angazhim të profesionistëve në sektorët që koordinon Ministria jonë. Ne besojmë tek kapacitetet intelektuale e profesionale të shoqërisë dhe shtetit tonë.
Në asnjë mënyrë, qasja jonë nuk është selektuese e as diskriminuese apo favorizuese, por në përputhje me të mirën publike dhe me strategjinë e Ministrisë, në interes të projekteve zhvillimore të cilat i kemi në plan t’i realizojmë.
Jemi të perkushtuar që me transparencë të plotë, të bashkëpunojmë me të gjitha universitetet dhe akademinë pa përjashtim, në mënyrë që të instalohen praktikat më të mira në këtë kontekst. /Lajmi.net/