DnV: Votime familjare, fotografim i votës
Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim” po vazhdon ta monitorojë procesin zgjedhor në territorin e komunës së Graçanicës. Dalja e votuesve deri në orën 12:00 është mbi 12 për qind.
Lajme
DnV ka vërejtur disa parregullsi gjatë procesit të votimit, siç janë rastet e votimeve familjare, që sipas DnV është vërejtur në 40 për qind të vendvotimeve. Gjithashtu, në së paku dy vendvotime është vërejtur fotografimi i votës.
Nga gjithsej 10 qendra të votimit, vetëm në dy prej tyre ka qasje të pjesshme për personat me aftësi të kufizuar; vërehet pjesëmarrje shumë e ulët e grave në përbërjen e komisioneve të vendvotimeve; janë raportuar së paku dy raste me vështirësi të votuesve për ta gjetur emrin e tyre në listën e votuesve.
Po ashtu, sipas DnV në dy qendra të votimit, Batushë dhe Kishnicë është vërejtur materiali propagandistik brenda diametrit prej 100 metrave të qendrës së votimit; në disa qendra, materiali informues për votues nuk ka qenë në dispozicion në dyja gjuhët zyrtare, serbisht dhe shqip.
Sipas DnV-së, është raportuar një incident që ka filluar brenda hapësirës së qendrës së votimit (shkolla fillore Kralj Milutin në Graçanicë) dhe është bartur në oborrin e saj, përmes një vëzhguesi të SKS (Lidhja e Serbëve të Kosovës) dhe një qytetari, për të cilin është nevojitur ndërhyrja e forcave të policisë. Pas këtij incidenti, procesi i votimit në këtë qendër ka vazhduar qetë.