DnV: Presidenti të ketë kujdes më vizitat e tij gjatë kohës së fushatave

Ndonëse zyrtarisht fushata zgjedhore fillon me datën 31 maj dhe zgjatë deri më 9 qershor 2017, subjektet politike duke përfituar nga mungesa e rregullimit ligjor kanë nisur fushatën zgjedhore shumë më herët.

Lajme

26/05/2017 19:17

Mos respektimi i afateve zyrtare të fushatës zgjedhore të përcaktuar nga KQZ-ja dëmton garën ndërmjet subjekteve politike dhe kandidatëve, duke i favorizuar ata të cilat kanë më shumë mjete financiare në dispozicion. Si pasojë nuk garantohen kushtet për garë të barabartë.

“Demokracia në Veprim” i bënë thirrje Presidentit të vendit që t’i përmbahet përgjegjësive dhe detyrimeve të tij kushtetuese, duke përfaqësuar unitetin e popullit të Republikës së Kosovës. Takimet e Presidentit me mësimdhënësit në kohë të fushatave zgjedhore kanë filluar të bëhen praktikë e zakonshme. Gjatë kësaj periudhe kur jemi në prag të zgjedhjeve, Presidenti duhet të tregoj kujdes të shtuar në mënyrë që të mos ndikoj apo lë hapësirë të interpretohet si ndikim në fushatën zgjedhore.

“Demokracia në Veprim” është duke bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për monitorimin e fushatës zyrtare zgjedhore të subjekteve politike të cilat do të garojnë në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit 2017. Aktivitet e subjekteve politike do të përcillen nga 60 vëzhgues afatgjatë, thuhet në komunikatën e DnV-së, përcjell lajmi.net.

Presidenti Hashim Thaçi këto ditë është duke zhvilluar takime në shkolla të ndryshme të Kosovës, veprim ky i cili nga partitë politike po shihet si fushatë. Madje LDK ka reaguar ndaj këtyre aktiviteteve të Thaçit. /Lajmi.net/