DKA e Fushë Kosovës lëndimin e nxënësve nga rënia e skeleve e quan “ngjeshje”

Drejtoria Komunale e Arsimit në Fushë Kosovë ka bërë përpjekje për të devijuar ose minimizuar incidentin e djeshëm të rënies së skeleve ku u lënduan disa nxënës.

Lajme

12/10/2019 08:18

Kështu po pretendojnë zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës, të cilët thonë se drejtori i DKA-së, Islam Shabani ka thënë se lëndimi i fëmijëve ishte “ngjeshje”, dhe jo lëndim, shkruan lajmi.net.

Drejtuesit e DKA-së kanë thënë për mediat se nxënësit nuk janë lënduar nga skelet, por sipas pretendimeve të PDK-së në Fushë Kosovë, kompania e punimeve dhe DKA-ja janë pajtuar të japin informata të pasakta rreth rastit.

Ky është reagimi i plotë i PDK-së në Fushë Kosovë:

​Pas raportimit në media për fshehjen e lëndimit dhe plagosjes së dy nxënësve në SHFMU “Zejnel Salihu” në fshatin Bardh të Madh të Fushë Kosovës, Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA) ka bërë përpjekje për të minimizuar dhe devijuar incidentin. Drejtori i DKA-së, Islam Shabani ka thënë se lëndimi i fëmijëve ishte një “ngjeshje” dhe nuk ishte si rezultat i punimeve të vonuara dhe të paligjshme që po bëhen në objektin e shkollës. Sipas tij, rasti ka ndodhur si pasojë e rënies aksidentale të një dritareje mbi kokën e dy fëmijëve, ndërkohë që po zhvillohej normalisht ora mësimore në ndërrimin e paradites së të enjtes.

Drejtues të DKA-së dhe shkollës në fjalë kanë thënë për mediat se nxënësit nuk janë lënduar nga skelet dhe armaturat e tyre që kanë rënë mbi dritaren e klasës së VII-të, për faktin se incidenti i rënies së dritares, sipas tyre, kishte ndodhur paradite e të enjtes, ndërkaq skelet ishin vendosur pasditen e të njëjtës ditë. Mirëpo, në raportimin e sotëm medial me pamje të incizuara, një punonjës i kompanisë që po i kryen punimet ka thënë se skelet ishin vendosur  por të premten, me çka kuptohet se drejtuesit e arsimit nuk janë marrë vesh me kompaninë për të dhënë versionin e njëjtë të (dez)informatës.

Madje, siç mund të shihet në lajmërimin e faqes zyrtare të kësaj komune, punimet për renovimin dhe izolimin e shkollës në Bardh të Madh kanë filluar para dy javësh dhe jo dje apo sot siç u përpoqën të argumentojnë pala kontraktuese dhe e kontraktuar e punimeve në fjalë.

Fotoja dhe linku më poshtë dëshmon se skelet, që përbëjnë rrezik për nxënësit dhe personelin e shkollës, janë vendosur para datës 26.09.2019: https://kk.rks-gov.net/fushekosove/news/vazhdon-fasadimi-ne-shfmu-zejnel-salihu-bardh-i-madh/?fbclid=IwAR2J1QuRKuzMaRQVX3qODN5sH3sfq02wxgQZ7_lX9PjnPRfE9bURcCshP0w

Dy nga nxënëset e kësaj shkolle dje nuk e kanë vijuar mësimin për shkak të lëndimeve të marra gjatë orarit të mësimit.

Ndryshe, siç kemi raportuar më herët, incidenti në SHFMU “Zejnel salihu” në Bardh të Madh kishte ndodhur të enjten, ndërkaq drejtori Islam Shabani ka kërcënuar personelin e shkollës që të mos e lajmërojnë rastin në institucionet kompetente por t’i dërgojnë fëmijët në QKUK. Siç u kuptua më vonë, policia ndërkohë ishin vënë në dijeni por nuk kanë iniciuar rast, madje nuk e kanë përfshirë as në raportin e rregullt 24 orësh.

Burimet tona bëjnë të ditur se zyrtarët e lartë të kësaj komune që drejtohet nga LDK-ja kanë raporte të përtej zyrtare me stacionin e policisë në Fushë Kosovë dhe në këtë mënyrë iu shmangen shumicës së incidenteve të shpeshta që ndodhin në shkollat e kësaj komune, tiketave të trafikut, raportimeve për korrupsion, raportimeve për krim të organizuar, raportimeve për afera, raportimeve për problemet me prona dhe ndërtime të pakontrolluara si dhe shkeljeve të tjera në procedurat e inicimit të rasteve të hetuesisë.

Duhet kujtuar se vetëm para pak muajsh, komandante e Stacionit Policorë në Fushë Kosovë, ka qenë Vjollca Hoti, kunata e ish-pretendentit për kryeministër të Republikës së Kosovës në zgjedhjet e kaluara nga radhët e LDK-së, Avdullah Hotit.

Rasti  i raportimit me vonesë, sidomos vet deklarata e drejtorit të DKA-së, Islam Shabani, i cili plagosjen e nxënësve e quajti “ngjeshje”, dëshmon për forcën e kontrollit që kanë zyrtarët e FushëKosovës mbi sistemin e arsimit, shëndetësisë si dhe drejtësisë, zyrtarë këta më të pasurit nga të gjithë të tjerët në nivel të Kosovës.

Ndryshe, paralajmërojmë protestë nëse nuk ka sqarohet deri në fund rasti nga të gjitha organet, të Komunës, policisë dhe QKUK-së

Papërgjegjësia e Komunës së Fushë Kosovës që nuk ka bërë me kohë renovimin e shkollës, që këtë ta bëjë në kohë të fushatës elektorale dhe në kohën e vijimit të mësimit, mban përgjegjësi për çfarëdo që ka ndodhur dhe është bërë shkak për lëndimin e nxënësve.