Djali i të akuzuarit për terrorizëm tregon vështirësitë dhe presionet (Video)

Andrit Elezi, nga fshati Smirë i Komunës së Vitisë, është duke përfunduar studimet në shkollën e mesme të medresesë në Gjilan. Ai dëshiron të vazhdojë studimet e larta, por nuk është i sigurt nëse diçka e tillë do t’i mundësohet, madje nuk di as me çfarë mjetesh financiare do të përfundojë shkollën aktuale.

Lajme

08/08/2015 10:20

“Kjo është mjaft zor se ne jemi tre studentë, është pak e vështirë për ne, për të ardhura”, thotë Andrit Elezi.

Me të njëjtën vështirësi përballen motra e tij që vazhdon studimet universitare për mjekësi në Prishtinë, dhe vëllai më i madh që studion në Egjipt.

“E vërejmë një mungesë të madhe sepse ai sillte edhe të ardhura në shtëpi, dhe tani nuk kemi më. Tash fillon edhe shtatori, viti i ri shkollor”, thotë Elezi.

Prej një viti, babai i tij, Hajdin Elezi, ndodhet në paraburgim, i akuzuar për pjesëmarrje në grupe terroriste në luftën e Sirisë, i arrestuar bashkë me 40 persona të tjerë.

“Baba im bën në 11 gusht, një vit që është në paraburgim. Që nga ajo kohë, nuk ka asgjë për të”.

Hilmi Zhitia, avokat me autorizim i Hajdin Elezit tha përmes telefonit për KALLXO.com se ai është në grupin e të akuzuarve, rast të cilin e ka gjyqtarja Afërdita Bytyqi, dhe deri tani janë mbajtur dy seanca.

Djali i Hajdin Elezit thotë se të atit i është bërë presion nga prokuroria për të pranuar fajësinë, në mënyrë që t’i ndryshojë masa e sigurisë, nga paraburgimi në arrest shtëpie.

“Po thonë që prano faktin që ke qenë në grupe terroriste (që) të të lirojmë, por babai im nuk ka qenë nëpër ato grupe”, thotë Andrit Elezi.

Gazeta Jeta në Kosovë ka hulumtuar mbi këtë çështje pak javë më parë, duke vërtetuar se të gjithë të akuzuarit që kishin pranuar fajësinë për përfshirje në veprimtari terroriste, kishin përfituar zbutje të masës së sigurisë. Ndërsa ata që ishin deklaruar të pafajshëm kishin mbetur në paraburgim.

“Unë vazhdimisht kam bërë kërkesa për zbutjen e masës së paraburgimit dhe zëvendësimit me një masë tjetër, por kjo nuk është marrë parasysh nga gjyqtarja, pasi që i mbrojturi im është deklaruar i pafajshëm”, tha avokati Zhitia për KALLXO.com.

“Ama një person që nuk e bën një vepër dhe me e shti me pranu atë, kjo nuk është e ligjshme”, vëren djali i vogël i Hajdin Elezit.

Lehtësimi diskriminues i masës së sigurisë për të akuzuarit për pjesëmarrje në grupe terroriste, sipas pranimit të fajësisë, nuk është i vetmi problem i vërejtur.

KALLXO.com gjeti se një tjetër grup të akuzuarish për terrorizëm, po mbahen prej më shumë se një viti në paraburgim dhe ende nuk është mbajtur as edhe një seancë gjyqësore, çka përbën një shkelje të të drejtave të tyre.

Andrit Elezi thotë se udhëtimi i të atit pranë zonave të luftës, por jo në to, ka qenë për arsye humanitare.

“Ka qenë në Turqi me ju ndihmu refugjatëve të cilët kanë pasur nevojë”, thotë ai.

Madje, djali përmend edhe një koment të ish-ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili i bënte thirrje NATO’s në gusht të vitit 2013, që të ndërhynte kundër regjimit të Asadit në Siri, si dhe duke u shprehur për mbështetje humanitare.

“E ka thënë edhe Enver Hoxhaj para dy-tre viteve, i cili ka inkurajuar edhe personat e tjerë me shku me u ndihmu, dhe disa persona e kanë parë këtë të arsyeshme, me ju ardhë në ndihmë refugjatëve. Njëri prej tyre ka qenë edhe baba im”, vëren Elezi.

Ai kujton kur policia erdhi dhe kreu një kontroll të shtëpisë së tyre, pa gjetur prova.

“Para një viti, kur e kanë burgosë babën tim, kur ka ardhë policia me e bastis shtëpinë, nuk ka gjetur asgjë, përveçse na kanë marrë telefonat, disa libra, kompjuterin, dhe nuk kanë gjetur ndonjë fakt që ta akuzojnë babën tim për terrorizëm”, thotë Elezi.

Vështirësitë e tij dhe të familjes nuk janë vetëm të natyrës ekonomike, por i duhet të përballet edhe me paragjykime.

“Ka persona që më kanë pa dhe kanë thënë ‘ky që e ka babën në burg të akuzum për terrorizëm’; vetëm pse e ka një mjekër baba jem duan ta akuzojnë për terrorizëm”, tregon ai.

Në fund, Andrit Elezi bën një apel për drejtësi që kjo çështje të marrë më në fund një zgjidhje.

“Veç t’i bëj një apel autoriteteve të Kosovës, që me marrë sa më shpjet masa për babën tim, sepse kështu po e lënë as në këtë anë e as në atë anë. Le të orientohemi diku, se na kanë lënë edhe ne keq”. /KALLXO.com/

YouTube player