Djali i Ramzan Kadyrovit merr nënshtetësinë serbe, ndryshoi mbiemrin para aplikimit – gjithçka u bë përmes një procedure të përshpejtuar

Ali Kadyrov, 19-vjeçari dhe djali i udhëheqësit çeçen Ramzan Kadyrov, ka fituar nënshtetësinë serbe pasi paraprakisht kishte ndryshuar zyrtarisht mbiemrin e tij në Musayev. Lajmi është bërë i ditur nga një hetim i Fondacionit Kundër Korrupsionit (FBK), organizatë e themeluar nga opozitari i ndjerë rus Alexei Navalny, transmeton lajmi.net. Sipas gjetjeve të hetuesve, Ali Kadyrov…

Lajme

24/11/2026 13:10

Ali Kadyrov, 19-vjeçari dhe djali i udhëheqësit çeçen Ramzan Kadyrov, ka fituar nënshtetësinë serbe pasi paraprakisht kishte ndryshuar zyrtarisht mbiemrin e tij në Musayev.

Lajmi është bërë i ditur nga një hetim i Fondacionit Kundër Korrupsionit (FBK), organizatë e themeluar nga opozitari i ndjerë rus Alexei Navalny, transmeton lajmi.net.

Sipas gjetjeve të hetuesve, Ali Kadyrov e kishte ndryshuar mbiemrin në janar të vitit 2025, ndërsa vetëm gjashtë muaj më vonë kishte siguruar pasaportën serbe përmes një procedure të përshpejtuar.

Kjo procedurë u mundëson marrjen e shtetësisë personave që konsiderohet se kanë dhënë kontribut të veçantë për Serbinë. Megjithatë, deri më tani nuk është bërë e ditur se çfarë kontributi apo shërbimi ka ofruar djali i liderit çeçen për shtetin serb.

Hetimi i FBK-së zbulon gjithashtu se, pas ndryshimit të mbiemrit, Kadyrov ka realizuar më shumë se 100 udhëtime jashtë vendit, ku destinacioni më i shpeshtë raportohet të ketë qenë Dubai.

Marrja e pasaportës serbe i mundëson atij udhëtimin pa viza në zonën Schengen, duke pasur parasysh privilegjet e lëvizjes që ofron pasaporta e Serbisë.

Sipas të njëjtit hetim, edhe pjesëtarë të tjerë të familjes Kadyrov përdorin mbiemrin Musayev. Ata raportohet se udhëtojnë me avionin privat familjar drejt destinacioneve të ndryshme, përfshirë Dubain, Turqinë dhe Maldivet./lajmi.net/