Djali i dëshmorit Arbër Cacaj me fjalë prekëse në protestë: Nëse babai im është kriminel, ejani m’i lidhni duart

Arbër Cacaj, djali i dëshmorit Nagip Cacaj, ka emocionuar të pranishmit në protestën e sotme në Prishtinë, ku qytetarë të shumtë u mblodhën për të kundërshtuar padrejtësitë që po u bëhen ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale në Hagë. Në një fjalim emocional, ai tha se ndjenja e mungesës së drejtësisë është e përbashkët për…

Lajme

07/08/2025 17:35

Arbër Cacaj, djali i dëshmorit Nagip Cacaj, ka emocionuar të pranishmit në protestën e sotme në Prishtinë, ku qytetarë të shumtë u mblodhën për të kundërshtuar padrejtësitë që po u bëhen ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale në Hagë.

Në një fjalim emocional, ai tha se ndjenja e mungesës së drejtësisë është e përbashkët për qindra familje dëshmorësh në Kosovë.

“Në shtëpinë time e kam një varr të hapur, varrin e babait. Nuk është veç shtëpia ime, ka mbi 1 mijë e 600 varre të hapura. E kam ende pamundësinë për të vendosur një lule në varrin e babait, mbi 1 mijë e 400 fëmijë nuk e patën fatin të rriten të lirë. Nuk arritën ta gëzojnë këtë liri, ata mbetën fëmijë të vrarë e masakruar,” tha Cacaj.

Ai reagoi ndaj dëshmive që po paraqiten në Hagë, duke i quajtur të padrejta dhe të ndikuara politikisht, raporton lajmi.net

“Shumë nga ata kriminelë në Hagë po dëshmojnë kundër çlirimtarëve. Nëse babai im është kriminel, edhe unë jam kriminel. Urdhëroni ejani e mi lidhni duart. Kjo nuk është drejtësi, kjo është poshtërsi. Liri për çlirimtarët,” përfundoi ai.

Protesta e organizuar nga OVL e UÇK-së po zhvillohet në mënyrë paqësore në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë./Lajmi.net/