Shkrimtarët s’festojnë, Rexhaj: Jemi pak, mos na lëndoni (Video)
Në muajin mars shënohen disa ditë të veçanta. Më 7 dhe 8 mars janë Dita e mësuesit, përkatësisht e gruas. Ndërkaq sot, është Dita Ndërkombëtare e Shkrimtarëve.
ShowBiz
Kjo ditë për herë të parë është shënuar më 3 mars të vitit 1921, ndërkaq nga viti 1986, ka nisur të festohet nga Kongresi Ndërkombëtar i shoqatës PEN Club, në Londër. Shoqata kishte për qëllim promovimin e miqësisë dhe mbështetjen intelektuale të shkrimtarëve anembanë botës, të cilët theksojnë rolin e letërsisë botërore dhe lirinë e shprehjes.
Për këtë ditë të shënjuar, për lajmi.net ka folur shkrimtari Albatros Rexhaj. Në kontekstin e Kosovës, Rexhaj konsideron se është e vështirë të jesh shkrimtar, pasi sipas tij, nuk është lehtë të jetohet nga kjo punë në një treg të vogël dhe me pak lexues.
“Dita Ndërkombëtare e Shkrimtarëve është ditë si të gjitha ditët tjera dhe mendoj se shumica e shkrimtarëve as që do të kujtohen se është kjo ditë e tyre. Kjo për arsye se nuk është e lehtë të jesh shkrimtarë, jo në kuptimin të kesh talent e të punosh por është shumë e vështirë të mbijetosh prej punës tënde për arsye se ne jemi treg i vogël, jemi pak dhe ata pak që jemi, lexojmë pak”, thotë Rexhaj, për lajmi.net
Ai vlerëson se tre marsi është ditë krenarie, megjithatë shumë pak i bie ndërmend dikujt t’ia uroj shkrimtarëve këtë ditë. Megjithatë ai nuk është i interesuar që të ketë ndonjë organizim apo manifestim, pasi shprehet se këto janë shndërruar në klishe.
“Nuk e di nëse do të ketë diçka por edhe nëse ka, këto organizime dhe manifestime janë shndërrua në klishe, diçka që bënë më tepër ‘show up’ që thonë në anglisht, që tregohet diçka që edhe kur t’i pyesësh çfarë po bëjnë nuk dinë me të tregu. Unë nuk besoj shumë në këto organizime”.
Rexhaj shton se puna e shkrimtarit është më tepër individualiste dhe ajo çfarë komuniteti mund të bëjë për shkrimtarët në këtë ditë, është që të përpiqen mos ta lëndojnë shkrimtarin.
“Artistët në përgjithësi janë të ndjeshëm, ndërsa shkrimtarët në mesin e artistëve janë edhe më të ndjeshëm”.
Për më tepër, ndiqeni videon e intervistës me shkrimtarin Albatros Rexhaj. /lajmi.net
