Dita e Kushtetutës, Tahiri: Akt i lartë historik, e domosdoshme që të merret një trajtim serioz i shkallës së aplikueshmërisë së saj
Besnik Tahiri, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, në 17 vjetorin e miratimit të Kushtetutës së Kosovës, ka thënë se kushtetuta mbetet akt i lartë historik, dhe si e tillë, ajo ka përmbushur qëllimin politik për të krijuar kornizën ligjore që mbështet themelimin e institucioneve të Kosovës. Tahiri, ka deklaruar edhe se Kushtetuta e vendit…

Lajme
Besnik Tahiri, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, në 17 vjetorin e miratimit të Kushtetutës së Kosovës, ka thënë se kushtetuta mbetet akt i lartë historik, dhe si e tillë, ajo ka përmbushur qëllimin politik për të krijuar kornizën ligjore që mbështet themelimin e institucioneve të Kosovës.
Tahiri, ka deklaruar edhe se Kushtetuta e vendit është dokument që i përmbush standardet ndërkombëtare në raport me organizimin dhe ndarjen e pushtetit, përmbushjen e të drejtave të njeriut dhe respektimin e plotë të lirive dhe të të drejtave themelore të pakicave.
”17 vite pas nga shpallja e pavarësisë dhe hyrja në fuqi e Kushtetutës, shumë ligje dhe nene kushtetuese kanë kaluar afatin e aplikueshmërisë dhe kërkojnë një rishikim të thellë për t’u përshtatur me zhvillimet e reja shtetërore, rregullimit institucional, aspektet politike dhe socio-ekonomike të Kosovës. Duket e domosdoshme që në një të ardhme të afërt të merret një trajtim serioz i shkallës së aplikueshmërisë së Kushtetutës, duke marrë parasysh sfidat dhe mundësitë që has Kosova në fazën aktuale të shtet-formësimit dhe integrimit në NATO e BE si dhe në realizimin e synimeve të veta strategjike”, ka shkruar ai ndër tjerash.
Postimi:
Sot, 17 vjet pas, Kushtetuta e Kosovës mbetet një akt i lartë historik, që pasoi shpalljen e Pavarësisë më 17 shkurt 2008. Si një dokument historik dhe juridik, Kushtetuta jonë ka përmbushur qëllimin politik për të krijuar kornizën ligjore që mbështet themelimin e institucioneve të Kosovës dhe është shërbyer si ombrellë për ligjet që kemi në fuqi.
Kushtetuta e Kosovës është një dokument i avancuar që përmbush standardet ndërkombëtare në raport me organizimin dhe ndarjen e pushtetit, përmbushjen e të drejtave të njeriut dhe respektimin e plotë të lirive dhe të drejtave themelore të pakicave. Ky dokument, i miratuar 17 vjet më parë, është një Kushtetutë shtet-formuese, në një mas e imponuar nga bashkësia ndërkombëtare e cila kërkoi përfshirjën e Planit të Ahtisaarit në të.
17 vite pas nga shpallja e pavarësisë dhe hyrja në fuqi e Kushtetutës, shumë ligje dhe nene kushtetuese kanë kaluar afatin e aplikueshmërisë dhe kërkojnë një rishikim të thellë për t’u përshtatur me zhvillimet e reja shtetërore, rregullimit institucional, aspektet politike dhe socio-ekonomike të Kosovës. Duket e domosdoshme që në një të ardhme të afërt të merret një trajtim serioz i shkallës së aplikueshmërisë së Kushtetutës, duke marrë parasysh sfidat dhe mundësitë që has Kosova në fazën aktuale të shtet-formësimit dhe integrimit në NATO e BE si dhe në realizimin e synimeve të veta strategjike. Procesi i rishikimit duhet ketë pë qëllim të ndihmojë avancimin e shtetit të Kosovës, duke u siguruar që Kushtetuta dhe legjislacioni i saj të mbeten të përshtatshme për t’iu përgjigjur kërkesave për të forcuar shtetin tonë.
Në këtë ditë të shënuar, kujtojmë edhe sakrificat dhe betejat që kanë mundësuar realizimin e këtij akti të rëndësishëm. Nga periudha e luftës dhe angazhimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, deri tek angazhimi i liderëve politikë, aktivistëve dhe qytetarëve të thjeshtë, Kosova ka kaluar nëpër një rrugëtim të mundimshëm dhe të vështirë për të arritur deri këtu. Dita e Kushtetutës është një nderim dhe falenderim për të gjithë ata që dhanë gjithçka për këtë çështje, për ata që luftuan dhe punuan për lirinë, pavarësinë dhe një shtet të Kosovës të bazuar në demokraci dhe sundimin e ligjit.
Në këtë Ditë të Kushtetutës, përkujtojmë se Kosova është e pavarur, dhe Kushtetuta është garantuesja e të drejtave dhe lirisë sonë. Ky është një angazhim për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për ne dhe për brezat që do të vijnë.