Disa ministra të Isa Mustafës injoruan homazhet për Rugovën
Një pjesë e kabinetit qeveritar ka bërë homazhe te shtatorja e ish – presidentit Ibrahim Rugova, në përkujtim të nëntëvjetorit të vdekjes së tij.

Lajme
Jo të gjithë ministrat e Qeverisë së Kosovës i janë përgjigjur ftesës së kryeministrit Isa Mustafa për të bërë homazhe para shtatores së ish-presidentit Ibrahim Rugova, në sheshin që mban emrin e tij në Prishtinë.
Nga ministrat që bënë homazhe para shtatores së Rugovës ishin shumica e ministrave që vijnë nga LDK-ja, dhe dy ministrat nga PDK, Hashim Thaçi e Hajredin Kuçi, raporton lajmi.net.
I vetmi prej ministrave të komuniteteve ishte Mahir Jagcilar.
Kryeministri Mustafa, pas homazheve tha se më këtë po tregohet se të gjithë kanë respekt për veprën e Ibrahim Rugovës.
“Ishte një gatishmëri dhe një vullnet i gjithë kabinetit qeveritar që sot të dalim pas seancës së Qeverisë dhe të bëjmë nderime tek shtatorja e Presidentit Rugova, me rastin e nëntëvjetorit të shkuarjes së tij në amshim”.
“Kjo flet se Qeveria e Republikës së Kosovës, pa dallim prej përbërjes partiake, ka respekt për veprën e Presidentit Rugova dhe për të gjithë ata që i kanë kontribuar shtetit tonë, pavarësisë sonë, dhe unë jam falënderues për këtë respekt”, ka deklaruar Mustafa.
Zëvendëskryeministri Thaçi me këtë rast ka thënë se institucionet dhe shteti i Kosovës e kujtojnë me pietet të lartë Presidentin e ndjerë.
“Sot, ne kujtojmë me pietet të lartë figurën dhe personalitetin e Presidentit Rugova, si institucione, si shtet, dhe si qytetarë të Republikës së Kosovës”, ka thënë Thaçi. (lajmi.net)