Disa lagje të Fushë Kosovës pa ujë
Në Bresje të Fushë Kosovës banorët e rrugës “Bedri Pejani” prej tri javësh po përballen me mungesë të ujit të pijshëm. Me problematikën e njëjtë po përballen edhe shumë lagje të tjera në Fushë Kosovë. Pothuajse prej tri javësh, në rrugën “Bedri Pejani” në Bresje të Fushë Kosovës banorët po përballen me mungesë të ujit.…
Lajme
Në Bresje të Fushë Kosovës banorët e rrugës “Bedri Pejani” prej tri javësh po përballen me mungesë të ujit të pijshëm. Me problematikën e njëjtë po përballen edhe shumë lagje të tjera në Fushë Kosovë.
Pothuajse prej tri javësh, në rrugën “Bedri Pejani” në Bresje të Fushë Kosovës banorët po përballen me mungesë të ujit.
Banorët e kësaj lagjeje tregojnë se ky problem ua ka vështirësuar jetën, si dhe po u shkakton shpenzime të panevojshme.
“Po kem shumë problem me ujë që 2-3 javë ditë, 1orë ka gjithë diten ska, gjithë naten ska po duhet me ble me bidona, me la me pi, për banjo mo katastrofë spo ki as ku me mar ski as bunar as kurgjo marum”, shprehet Bahire Shala – banore.
“Po duhet me ble ujë, por edhe qka po blejmë na nuk po mundemi mu furnizu me krejt sa ka nevojë për shpi”, shprehet një tjetër banor.
Mungesa e ujit në këtë lagje është një çështje e pazgjidhur prej shumë kohësh.
“Kem shumë problem, përveç që duhet me ble kem problemin që qysh mbahet pastërtia pa ujë. Nihere u ankofshin jo turbullira, tash sedi për çka ankohen e qeshtu vec me ankesa tyre a qytetarët në gjendje jo të mirë me furnizim të ujit”, tha Rexhep Gërguri.
E të njëjtin hall e ka edhe banori Ali Hasani i cili jeton në një lagje tjetër të Fushë Kosovës.
“Ujë të pijshëm skem, ujë kshtu skem po duhet cdo ditë me ble, gypat i kan qit naper lagje po ujin se kan lëshu a uj[ të pijshëm nuk ka çdo ditë po duhet me ble 1 ose 2 bidona”, tha Ali Hasani.
Nga KRU Prishtina thonë se ky problem po shkaktohet si pasoj e turbullirës së vazhdueshme në kanalin e Ibër-Lepencit.
“Problemet aktuale me furnizimin me ujë në NjOU – Fushë Kosovë lidhen me turbullirën e vazhdueshme të ujit në kanalin Iber-Lepenc. Tre javë asnjë konsumator nuk ka mbetur pa furnizim me ujë. Megjithatë, vështirësi më të mëdha hasen në katet e larta, mbi katin e 7, veçanërisht tek konsumatorët që jetojnë në ndërtesa pa rezervuar. Duhet theksuar se Ujësjellësi nuk ka obligim për të siguruar shtypje apo furnizim të rregullt në këto kate të larta”, thuhet nga kompania.
Sipas zëdhënëses Arjeta Mjeku, një pjesë e problemit duhet të zgjidhet nga vet konsumatorët dhe investitorët e objekteve banesore./teve1