Disa kosovarë gjenden në mes të luftës Izrael-Iran: Një grua ndodhet në trajtim në qytetin e sulmuar, një tjetër po evakuohet përmes Egjiptit
Tensionet mes Izraelit dhe Iranit përveç këtyre dy shteteve në Lindje të Mesme ku edhe po zhvillohen këto tensione, kanë ndikuar edhe në shumë shtete larg tyre. Një ndër këto sfida dhe vështirësi me të cilat janë përballur shtetet e tjera e ndër to edhe Kosova gjatë këtyre tensioneve, janë shtetasit e tyre të cilët…

Lajme
Tensionet mes Izraelit dhe Iranit përveç këtyre dy shteteve në Lindje të Mesme ku edhe po zhvillohen këto tensione, kanë ndikuar edhe në shumë shtete larg tyre.
Një ndër këto sfida dhe vështirësi me të cilat janë përballur shtetet e tjera e ndër to edhe Kosova gjatë këtyre tensioneve, janë shtetasit e tyre të cilët ndodhen në këto vende.
Në Izrael, një ndër shtetet e konfliktit ndodhen edhe qytetarë të Kosovës, gjithsej 15, e 13 prej tyre sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës nuk kanë shprehur interesim për evakuim.
MPJD në një përgjigje për lajmi.net ka thënë se në bashkëpunim të ngushtë me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Izrael, kanë përmbyllur me sukses që në ditët e para të përshkallëzimit të situatës së sigurisë, evakuimin e disa qytetarëve të Kosovës nga Izraeli përmes Jordanisë dhe Egjiptit.
Sipas MPJD-së, ky proces është realizuar në koordinim të afërt me autoritetet izraelite dhe ambasadat e Shqipërisë, Bullgarisë, Greqisë dhe Egjiptit në Izrael .
Një shtetase e Kosovës sipas MPJD-së është në trajtim mjekësor në spitalin “Soroka” në qytetin Be’er Sheva, qytet ky që së fundmi është raportuar për një sulm.
“Fatmirësisht, ajo nuk ka qenë e pranishme gjatë sulmit dhe ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore. Ambasada e Kosovës në Izrael është në kontakt të vazhdueshëm me familjen e saj dhe po punon për realizimin e evakuimit të tyre sapo të krijohen kushtet përkatëse”, ka thënë MPJD për lajmi.net.
Përveç saj, një qytetar tjetër i Kosovës është aktualisht në proces të largimit nga Izraeli përmes Egjiptit, me mbështetjen e Ambasadës, shkruan lajmi.net.
“Sipas të dhënave të fundit të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Izrael, në territorin izraelit ndodhen edhe 13 qytetarë të tjerë të Republikës së Kosovës, të cilët deri më tani nuk kanë shprehur interesim për evakuim. Ambasada e Republikës së Kosovës në Izrael mbetet në gatishmëri të plotë dhe e angazhuar për t’iu përgjigjur çdo kërkese për ndihmë nga qytetarët tanë, duke koordinuar nga afër me autoritetet izraelite dhe partnerët ndërkombëtarë për çdo mundësi të mëtejme evakuimi”, ka thënë MPJD për lajmi.net.
Sipas MPJD-së, situata e sigurisë në Izrael vijon të përkeqësohet, dhe për këtë iu bën thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që ndodhen në këtë territor të tregojnë kujdes maksimal dhe të qëndrojnë vetëm në zona të sigurta.
Udhëzimet dhe paralajmërimet e publikuara nga Komanda e Mbrojtjes së Brendshme të Izraelit. Udhëzimet janë të përditësuara dhe të disponueshme në gjuhën angleze në linkun zyrtar:
👉 https://www.oref.org.il/eng
📞 Për çdo pyetje, shqetësim apo nevojë urgjente për ndihmë, ju lutemi të kontaktoni Ambasadën në:
📱 +972 (0) 586 340 450
📧 email: [email protected]
Armëpushimi i ndërmjetësuar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, mes Iranit dhe Izraelit, është duke u zbatuar të mërkurën, një ditë pasi të dyja vendet treguan shenja se lufta ajrore ka përfunduar, të paktën tani për tani.
Të dyja palët shpallën fitoren të martën pas 12 ditëve luftë, në të cilën SHBA-ja ndërhyri duke kryer bombardime në mbështetje të Izraelit për t’i shkatërruar objektet e Iranit për pasurimin e uraniumit. /Lajmi.net/