Dikush pret për mandatarin, të tjerë kontestojnë mbylljen e seancës konstituive – Çfarë po ndodh me Kuvendin e Kosovës?

Lëvizja Vetëvendosje pret që presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ta mandatojë kandidatin për kryeministër, menjëherë pasi Këshilli i Përgjithshëm i tyre ta votojë të njëjtin në ditët në vijim. Sipas partisë së parë në zgjedhjet e 9 shkurtit, Kuvendi është konstituuar, megjithëse nuk është zgjedhur njëri nga nënkryetarët nga komuniteti serb, shkruan KosovaPress. Mirëpo, në…

Lajme

02/09/2025 20:00

Lëvizja Vetëvendosje pret që presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ta mandatojë kandidatin për kryeministër, menjëherë pasi Këshilli i Përgjithshëm i tyre ta votojë të njëjtin në ditët në vijim. Sipas partisë së parë në zgjedhjet e 9 shkurtit, Kuvendi është konstituuar, megjithëse nuk është zgjedhur njëri nga nënkryetarët nga komuniteti serb, shkruan KosovaPress.

Mirëpo, në partinë ish-opozitare, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, kërkojnë nga presidentja Osmani të mos e mandatojë kandidatin e LVV-së për kryeministër, por ta dërgojë rastin në Gjykatën Kushtetuese për të vlerësuar kushtetutshmërinë e mbylljes së seancës konstituive nga kryeparlamentari Dimal Basha.

Mendim të njëjtë kanë edhe në Institutin e Kosovës për Drejtësi, ndërkaq ish-gjyqtari i Kushtetueses, Kadri Kryeziu, thotë se presidentja duhet ta mandatojë kandidatin e LVV-së për kryeministër por paralelisht duhet t’i drejtohet edhe Gjykatës Kushtetuese për ta vlerësuar kushtetutshmërinë e konstituimit të Kuvendit pa zgjedhur nënkryetarin nga komuniteti serb.

Presidentja Vjosa Osmani, pas takimit me kryetarin e Kuvendit, Dimal Basha të hënën, ka bërë të ditur se ekipi i saj ligjor po analizon mbylljen e seancës konstituive pa zgjedhur nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb dhe se ajo do të veprojë në përputhje me Kushtetutën.

Deputetja e LVV-së, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, thotë për KosovaPress se porsa ta votojnë mandatarin për kryeministër në Këshillin e tyre të Përgjithshëm do t’i dërgojnë presidentes një letër ku do t’i kërkojnë ta mandatojë kandidatin për kryeministër.

Sipas saj, konstituimi i Kuvendit ka ndodhur edhe pse nuk është zgjedhur nënkryetari nga komuniteti serb “pasi vendi nuk mund të mbetet peng i pamundësisë së zgjedhjes së nënkryetarit nga komuniteti serb”.

“Këtyre ditëve pritet të mbahet Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje, ku delegatët pritet të mandatojnë kandidatin për kryeministër nga LVV-ja, e më pas do t’i dërgojmë një letër presidentes. Ne kemi hyrë në pesëmbëdhjetë ditëshin ku partisë fituese i takon e drejta për ta formuar qeverinë e re. Ne konsiderojmë që konstituimi i Kuvendit ka ndodhur dhe kryeparlamentari e ka bërë takimin me presidenten në vazhdën e asaj që kemi nisur muaj më parë dhe më në fund kemi konstituar Kuvendin. Tash jemi në hapin e formimit të qeverisë së re dhe le të presim se çka do të jetë përgjigjja e presidentes. Ajo duhet të përgjigjet pozitivisht në këtë aspekt pasi ne tashmë e kemi konstituar Kuvendin në kuptimin e krijimit të shumicës dhe nuk duhet të mbesim peng të pamundësisë për t’u zgjedhur nënkryetari nga komuniteti serb”, thotë ajo.

Mirëpo të kundërtën e thotë deputeti i AAK-së, Lahi Brahimaj, i cili thotë se Kuvendi nuk është konstituar pasi nuk është zgjedhur nënkryetari nga komuniteti serb.

Ai bën apel që presidentja Vjosa Osmani të mos procedojë tutje me mandatarin për kryeministër, por t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

Deputeti i AAK-së është kritik ndaj Osmanit dhe sipas tij, ajo është treguar “neglizhente për krizën politike”.

“Presidentja nuk duhet të ngutet pa e marrë një përgjigje nga Gjykata Kushtetuese…Edhe ajo është treguar neglizhente, ku nuk i ngutët pasi në pozicionin që është ajo, sikur po i konvenon me qenë ajo një titullare dhe pa pasur institucione, qeveri dhe parlament dhe të ushtrojë detyrën. Realisht është për të ardhur keq pasi shumë pak është angazhuar për të dalë nga kjo situatë dhe ky ngërç. Presidentja është treguar pasive në këtë drejtim”, thotë ai.

Kërkesë të njëjtë kanë edhe në Institutin e Kosovës për Drejtësi. Hulumtuesi, Melos Kolshi thotë se Kuvendi nuk konstituohet pa u zgjedhur edhe nënkryetari nga komuniteti serb. Prandaj, sipas tij, presidentja Osmani duhet t’i drejtohet Kushtetueses për ta sqaruar kushtetutshmërinë e mbylljes së seancës konstituive pa zgjedhur nënkryetarin nga komuniteti serb.

“Kuvendi i Republikës nuk konsiderohet i konstituar pa u zgjedhur kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit, të cilët janë pesë…Presidentja e Republikës nuk duhet assesi të procedojë dhe të vazhdojë tutje me dërgimin e emrit të mandatarit për t’u votuar. Kuvendi nuk konsiderohet i konstituar ende pa u zgjedhur të gjithë nënkryetarët e Kuvendit. Ajo zgjedhje duhet të bëhet në mënyrë kushtetuese dhe në bazë të praktikave të kaluara. Presidentja duhet të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese një çështje të tillë”, deklaron ai.

Në anën tjetër, ish-gjyqtari në Gjykatën Kushtetuese, Kadri Kryeziu, thotë se presidentja duhet ta mandatojë kandidatin e LVV-së për kryeministër, por paralelisht t’i drejtohet edhe Kushtetueses për të vlerësuar kushtetutshmërinë e konstituimit të legjislaturës së nëntë.

“Kjo duhet të shkojë në mënyrë paralele. S’ka pengesa që LVV-ja të dërgojë mandatarin te presidentja Osmani. Presidentja duhet të konsultohet me Gjykatën Kushtetuese për t’i krijuar institucionet. Presidentja e shtetit ka për detyrë të pyesë Gjykatën Kushtetuese se a konsideron konstituimin e plotë të Parlamentit të Kosovës…Duhet të vazhdohet me procedura, duke pasur parasysh se nuk mundet një nënkryetar i parlamentit të bllokojë procesin e krijimit të institucioneve të Kosovës, pa marrë parasysh kush është ai, shqiptar apo nga minoritetet”, thekson ai.

Kryeministri në detyrë, njëherësh kryetari i LVV-së, Albin Kurti, nuk është përgjigjur të martën se kur do t’i dërgojnë presidentes Osmani kandidatin për kryeministër.

Të hënën ka dështuar të mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, pas mbylljes së seancës konstituive nga kryeparlamentari Dimal Basha. Në mbledhje nuk morën pjesë nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku si dhe nënkryetari nga LDK, Kujtim Shala, të cilët po ashtu kanë thënë se Kuvendi nuk është konstituar pasi nuk është zgjedhur nënkryetari nga radhët e komunitetit serb.

Kosova s’ka formuar institucionet edhe gati shtatë muaj nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës u mbyll të shtunën nga kryeparlamentari Basha, ani pse në gjashtë raunde votimesh nuk u zgjodh asnjë prej deputetëve nga komuniteti serb për nënkryetar të Kuvendit.

Krahas deputetëve nga Lista Serbe, në garë ishte edhe deputeti tjetër i komunitetit serb, Nenad Rashiq, mirëpo i njëjti nuk arriti të sigurojë votat për këtë post.

Për Rashiqin votuan vetëm deputetët nga LVV dhe komunitetet jo serbe, kurse ata nga PDK abstenuan, LDK nuk mori pjesë, kurse në seancën e fundit munguan deputetët e AAK-së dhe Nismës.