Dikush e krahasoi Faton Hajrizin me Adem Jasharin – Gjithçka që nuk u pa nga ceremonia e varrimit

Faton Hajrizi i cili u vra nga policia serbe më 19 korrik të këtij viti, u varros sot në varrezat e fshatit të tij të lindjes, Klinë e Ulët në Drenicë. Rruga drejt varrezave ishte mbushur e tëra me flamuj kuq e zi, duke e nderuar kështu të ndjerin të cilën e quajtën edhe hero.…

Lajme

11/08/2024 21:56

Faton Hajrizi i cili u vra nga policia serbe më 19 korrik të këtij viti, u varros sot në varrezat e fshatit të tij të lindjes, Klinë e Ulët në Drenicë.

Rruga drejt varrezave ishte mbushur e tëra me flamuj kuq e zi, duke e nderuar kështu të ndjerin të cilën e quajtën edhe hero.

Familjar, miq, të njohur dhe të panjohur të tij kanë marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të tij.

Ekipi i lajmi.net ka qëndruar në vendngjarje nga ku edhe ka përcjellë emocionet e forta të familjarëve të tij.

“Shumë jam mërzit, dy ditë e gjysmë bile s’kam hangër bukë hiq e gjumë s’kam ba tri ditë gati. Djalë trim, djalë luan, legjendë. U desht me i ndihmu shteti më herët, ai veç ka dasht me jetu, me punu, me u martu e me kriju familje si na krejt të tjerët. Si Adem Jashari si Faton Hajrizi e shumë dëshmorë të tjerë”, ka thënë njëri nga pjesëmarrësit në varrim.

Një qytetar tjetër i cili ka marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të Faton Hajrizit ka treguar se ka ardhur nga Gjermania enkas për të e i cili ka konsideruar se rrallë lindin djem si ai.

Në këtë ceremoni të varrimit iu është penguar puna edhe e gazetarëve të cilët janë kërcënuar.

“Ju i keni bë këto të zeza krejt me këto kamera, shymni. Mos gaboni me incizu këtu me kamera, më mirë shymni se jau thejm krejt. Se ju veç jeni ardh me marrë informacione, nuk jeni ardh për kurgjo tjetër ju, me bë “like””, dëgjohen disa nga pjesëmarrësit në këtë varrim të cilët kërcënojnë ekipin e lajmi.net.

Familja e Faton Hajrizit për shkak të dhimbjes së madhe kanë vendosur të mos deklarohen për media.

Tashmë i ndjeri, Faton Hajrizi u varros me nderime të mëdha nga mijëra persona që morën pjesë në varrimin e tij.

Emri i tij u përfol shumë në media që nga arratisja e tij e nëntë nga burgu i Kosovës e kësaj radhe nga burgu i Smrekonicës, më 6 korrik të këtij viti i cili përfundoi me fatalitet.

Ai gjatë arratisjes së tij hynte shumë shpesh “live” në rrjetin social Tik Tok e ku edhe kishe deklaruar se nuk do të kthehej më kurrë në burg dhe vetëm i vdekur do kthehej aty.

Tek sa po largohej nga Kosova ku po e kërkonte policia, Hajrizi në Loznicë të Serbisë dyshohet ta ketë vrarë një polic serb dhe ta kishte plagosur një tjetër për çka edhe iu vun pas Policia serbe.

Ata nuk arritën ta kapin të gjallë por e vranë Faton Hajrizin të cilin deri të premten nuk e kthyen në Kosovë.

Sot atij iu dha lamtumira e fundit.

Video: