Dikur Zëvendëskryeministër, tash Shef i Stacionit të Autobusëve
A ju kujtohet Adem Salihaj, në kohën kur ishte Zëvendëskryeministër i Kosovës dhe rrethohej me trupëroje të shumta? Sot, ai është Drejtor i Stacionit të Autobusëve në Ferizaj. Këtë vendim e ka marrë Kryetari i Komunës, Muharrem Svarqa.
Lajme
Ish Zëvendëskryeministri i Kosovës, Adem Salihaj, ka gjetur një vend pune ne të cilin vështirë se mund ta ketë paramenduar veten më parë.
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, siç pohohet, e ka emëruar Adem Salihajn në postin e Drejtorit të Stacionit të Autobusëve.
Vendimi thuhet të jetë marrë nga Kryetari i Komunës së Ferizajt, i cili ditë më parë ka shkarkuar Bordin e Ndërmarjes “Stacioni i Autobusëve” dhe menjëherë ka emëruar përbërjen e re të Bordit dhe Adem Salihajt në postin e Kryeshefit Ekzekutiv të kësaj ndërmarrjeje.
Adem Salihaj e ka nisur karrierën e vet politike si Kryetar i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Ferizaj.
Në zgjedhjet e para lokale, ai u zgjodh Kryetar i Komunës, për t’u rikonfirmuar në këtë post edhe në zgjedhjet e vitit 2002.
Në vitin 2005, ai u bë Zëvendëskryeministër i Kosovës në Qeverinë e koalicionit LDK-AAK.
Asokohe, ai njihej për numrin e madh të trupërojeve që e përcillnin.
Në vitin 2006, ndarja e LDK’së e gjeti Adem Salihajn në krahun e Nexhat Dacit me të cilin themeloi Lidhjen Demokratike të Dardanisë. Për disa vjet ai mbajti postin e Nënkryetarit të kësaj partie, për t’u rikthyer përsëri në LDK.
Ai kishte qenë Kandidat i LDK’së për Kryetar të Komunës në zgjedhjet e vitit 2012 të cilat i humbi nga Kandidati i PDK’së, Agim Aliu.