Dikur Kombëtarja e Kosovës zhvillonte ndeshjet aty, sot stadiumi ‘Adem Jashari’ në gjendje të mjerueshme

Vite më parë stadiumi olimpik ‘Adem Jashari’ ishte shtëpia e Kombëtares së Kosovës, ndërsa tani është rikthyer në një gërmadhë. Kombëtarja e Kosovës e kishte zhvilluar ndeshjen e parë zyrtare pikërisht në atë stadium, i cili asokohe i përmbushte kriteret për zhvillimin të ndeshjeve edhe për garat evropiane, ndërsa tani është jashtë funksionit. ‘Dardanët’ në…

Sport

24/03/2023 15:54

Vite më parë stadiumi olimpik ‘Adem Jashari’ ishte shtëpia e Kombëtares së Kosovës, ndërsa tani është rikthyer në një gërmadhë.

Kombëtarja e Kosovës e kishte zhvilluar ndeshjen e parë zyrtare pikërisht në atë stadium, i cili asokohe i përmbushte kriteret për zhvillimin të ndeshjeve edhe për garat evropiane, ndërsa tani është jashtë funksionit.

‘Dardanët’ në ‘Adem Jashari’ më 5 mars të vitit 2014 kishin mirëpritur kombëtaren e Haitit, takim që u mbyll pa gola (0:0).

Kapaciteti i tij ka qenë 18.500 ulëseve, ku mblidhte të gjithë tifozët dhe njëzëri këndonin dhe motivonin djelmoshat dardanë.

Pas asaj ndeshje historike, kombëtarja zhvilloi edhe përballje të tjera, ndërsa tani ai stadium, në fakt nuk mund të quhet as stadium.

Ai aktualisht është në një gjendje të mjerueshme, krejt kjo ka ndodhur falë neglizhencës fillimisht nga qyteti dhe tani nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Ministri i MKRS, Hajrullah Çeku së fundmi ka theksuar se çështja e shpronësimit është në rrugë të mirë dhe se, pasi të mbyllet ajo, do të nis rinovimi i këtij stadiumi, i cili ka përfunduar në një gërmadhë tash e sa vite.

“Projekti i stadiumit, rinovimi i stadiumit ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë është në fazën e fundit të rregullimit të çështjes së shpronësimit dhe këtu jemi duke punuar bashkë me ministrin Aliu për ta përmbyllë një çështje problematike që do të duhej të ishte përmbyllur para se të fillonte ky projekt. Për fat të keq ka nis projekti pa u qartësuar çështja e pronave, por besoj që shumë shpejt do të përfundojë kjo çështje e shpronësimit dhe punimet do të rifillojnë, sepse operatori tashmë është në kontratë lidhur me Ministrinë dhe është në pritje të zgjidhjes së çështjes së shpronësimit. Unë jam i bindur që shumë shpejt do ta përmbyllim këtë çështje të shpronësimit dhe kjo i bie autorizim për operatorin me të cilin jemi në komunikim të përhershëm për t’i vazhduar punimet e renovimit të stadiumit ‘Adem Jashari'”, ishte shprehur ministri Çeku.

Mbetet të shihet pas deklaratës së fundit të ministrit se edhe sa gjatë do shkojë rinovimi i stadiumit që ndërthur në vete histori për futbollin e kombëtares së Kosovës./Lajmi.net/