Dikur i kritikonte qeveritë e mëdha por sot Kurti e rriti numrin e ministrive nga 15 në 19- Dështoi t’i votohen një “grumbull” ministrash

Kryetari i LVV-së, Albin Kurti, prezantoi sot përbërjen për qeverinë e re, ku kërkoi ta votojnë deputetët, ndonëse nuk kishte ndonjë marrëveshje me ndonjë subjekt tjetër politik shqiptar, por kjo nuk është se ju aporovua, pasi dështoi qysh në tentativën e parë duke marrë vetëm 56 vota për. Cilat ministri na befasuan, çfarë u shtua?…

Lajme

26/10/2025 15:22

Kryetari i LVV-së, Albin Kurti, prezantoi sot përbërjen për qeverinë e re, ku kërkoi ta votojnë deputetët, ndonëse nuk kishte ndonjë marrëveshje me ndonjë subjekt tjetër politik shqiptar, por kjo nuk është se ju aporovua, pasi dështoi qysh në tentativën e parë duke marrë vetëm 56 vota për.

Cilat ministri na befasuan, çfarë u shtua?

Ani se dikur kur ishte në opozitë kritikonte paritë tjera në pushtet për numrin e madh të ministrive, sot ai gjatë paraqitjes së përbërjes së kabinetit qeveritar paraqiti 19 ministri me 19 ministra ose një rritje të numrit të tyre prej 4 sosh nga qeveria në detyrë e cila tani ka 15 ministri.

Kurti para se të vinte në pushtet kishte premtuar se nëse vjen në qeveri do të ulet numri i ministrive dhe zv.ministrave.

“Do të bëhet zvogëlimi i qeverisë, të mos kemi 21 ministri me 80 zv.ministra. Do të kemi 12 ministri me nga një zv.ministër”, kishte shkruar Albin Kurti në vitin 2019.

Deputeti i Vetëvendosjes, Hekuran Murati pas dështimit të zgjedhjes së Qeverisë Kurti 3, u deklarua për rritjen e numrit të ministrive.

Sipas tij, rritja e numrit ka të bëjë më tepër me mirë funksionimin e ministrive.

“Rritja e numrit të ministrive ka të bëjë më tepër për mirë funksionim”, deklaroi Murati.

Befasia në këtë seancë ishin shtimi i dy ministrive të reja, ministria e Familjes dhe mirëqenies sociale e cila do të udhëhiqej nga Andin Hoti dhe ministria e Administratës Publike dhe digjitalizimit, ku do të udhëhiqej nga Lulëzon Jagxhiu.

Po ashtu kësaj radhe ish-zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi,u la jashtë posteve ministrore, këtë herë pozitën e tij do ta përfaqësonte, ish-kryeparlamentari i legjislaturës së kaluar, Glauk Konjufca, por e përhershmja Donika Gërvlla-Schwarz, duket se as këtë herë se ka lëshuar këtë pozitë, shkruan lajmi.net.

Befasi në këtë seancë ishte edhe propozim i kryeparlamentarit, Dimal Basha për ministër të Infrastrukturës, gjë e cila nuk është parë në asnjërën qeverisje.

Anipse, gjatë kësaj seance u propozuan, emra të rinj për ministra e madje edhe kishte zbutje të gjuhës nga ana e Kurtit kjo nuk u bëri përshtypje deputetëve.

Nga 56 vota për, 52 prej tyre ishin kundër, ndërsa 4 prej tyre abstenuan.

Deputetët që abstenuan ishin: Fatmir Limaj dhe Arbëreshë Krasniqi, Xhevahire Izmaku nga Nisma si dhe Veton Berisha.

Se a do t’i ndihmojë, kjo rritje e ministrive nga 15 në 18, mbetet të shihet në 10 ditëshin e ardhshëm.

Por se cilët ishin ministrat e propozuar për “Qeverinë Kurti 3”, mund t’i shihni si në vijim:

Glauk Konjufcën zëvendëskryeministër të parë dhe ministër të Punëve të Jashtme dhe Diasporës,

Ndërsa zv.kryeministre e dytë, dhe ministre e Drejtësisë, Donika Gërvalla. Zëvendëskryeministër i tretë, Fikrim Damka.

Ministër i Financave dhe Ekonomisë, Hekuran Murai

Ministër për familje dhe mirëqenie sociale Andin Hoti.

Ministër i Mbrojtjes Ejup Maqedonci.

Ministër i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ministër i Administratës Publike dhe digjitalizimit Lulëzon Jagxhiu.

Minsitër i Shëndetësisë Arben Vitia. Ministër i Arsimit, Avni Zogiani.

Ministër i Kulturës dhe Turizmit Fatmri Spahiu. Ministër i Sportit Blerim Gashani.

Ministër i Administrimit të pushteti Lokal, Rasim Demiri.

Ministëre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Fitore Pacolli.

Ministër i Bujqësisë dhe Pylltarisë, Armend Mujaj.

Ministër i Infrastrukturës, Dimal Basha. Ministër i Tregtisë, Mimoza Kusari.

Ministre e Energjisë, Artane Rizavnolli.

Ministër për komunitete dhe kthim Nenad Rashiq dhe ministër për Zhvillim Rajonal Sejnur Veshall.

Tanimë Osmani pritet që të thërrasë partitë politike për konsultime brenda afatit kushtetues dhe në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese.

Ndërkaq pas përfundimit të votimit, Kryeparlamentari Dimal Basha sqaroi se përgjegjësia bie sërish tek Presidentja Vjosa Osmani.

Pas konsultimeve me partitë, ajo propozon mandatarin tjetër për kryeministër, në një afat prej 10 ditësh. “Përgjegjësia tani kalon tek Presidentja, e cila pas konsultimeve me subjektet politike dhe brenda një afati prej 10 ditësh ka mundësi të emërojë kandidatin tjetër për kryeministër sipas të njëjtës procedurë”, deklaroi Basha.

Ndonëse u thanë fjalë të mëdha e vendime të rëndësishme të cilat do ta zhbllokonin vendin, nuk është se pati ndonjë rikthim të ndonjë partie, qëndrimet e tri subjekteve më të mëdha politike ishin të qarta “nuk do të ketë qeveri Kurti 3”. /Lajmi.net/