Dikur fituese e çmimit nobel për paqe, tani dënohet me burgim

Dënohet me 4 vite burg fituesja e Nobelit për paqe, Aung San Suu Kyi. Ja akuzat e ngritura ndaj saj.

Fun

06/12/2021 14:39

Fituesja e çmimit Nobel për Paqe, 76 vjeçarja Aung San Suu Kyi është dënuar me katër vite burg nga një gjykatë në Mianmar më 6 dhjetor, transmeton lajmi.net.

Sipas CNN, ajo u shpall fajtore për nxitje të trazirave publike dhe shkelje të rregullave shëndetësore në lidhje me Covid-19.

Vendimi përfshin disa akuza për korrupsion – ku secila mbart një dënim maksimal prej 15 vjetësh burgim.

Aung San Suu Kyi, ka hedhur poshtë të gjitha akuzat dhe mbështetësit e saj thonë se akuzat ndaj saj janë politike.

Zëvendës Drejtori Rajonal i Amnesty International, Ming Yu Hah, në një deklaratë u shpreh:

“Dënimet e ashpra të dhëna ndaj Aung San Suu Kyi-t për këto akuza false janë shembulli i fundit i vendosmërisë së ushtrisë për të eliminuar të gjithë opozitën dhe për të mbytur lirnë në Mianmar”.

Një vit më parë, partia e saj Lidhja Kombëtare për Demokraci fitoi zgjedhjet, duke e rikthyer atë dhe partinë e saj në detyrë për një mandat të dytë pesëvjeçar pas dekadash sundimi të dominuar nga ushtria.

Ushtria rimori pushtetin më 1 shkurt, duke arrestuar Suu Kyin dhe shumë të tjerë dhe duke e rizhytur Myanmar-in në trazira pas një periudhe të shkurtër stabiliteti dhe premtimesh për më shumë demokraci.

Vendimi vjen një ditë pasi forcat e sigurisë shtypën disa protestues të mbledhur në qytetin më të madh të vendit Yangon.

Karriera e Suu Kyi-t ka patur momente ekstreme, nga nivelet më të larta – fitimi i çmimit Nobel për Paqe – deri te momentet më të ulëta, 15 vjet në arrest shtëpie gjatë qeverisjes së mëparshme ushtarake.

Suu Kyi u martua me studiuesin e Universitetit të Oksfordit, Michael Aris, me të cilin pati dy djem.

Ajo u bë pjesë e politikës në vitin 1988 kur u kthye në atdhe për t’u kujdesur për nënën e saj, teksa protestat e mëdha shpërthyen kundër diktaturës ushtarake të Ne Win.

Ajo ndihmoi në themelimin e Lidhjes Kombëtare për Demokraci, por në vitin 1989 u dënua me arrest shtëpie. /Lajmi.net/