Dikujt iu shumëfishuan votat, por dikujt nuk i solli dobi- Kush humbi e kush fitoi nga braktisja e partive?

Albena Reshitaj, Doarsa Kica- Xhelili dhe Adelina Grainca janë tri deputetet që ia kanë pa hairin ndërrimit të partive. Të tria janë “shpërblyer” me vota në zgjedhjet e 9 shkurtit. Fat tjetër e ka përcjellur Haki Abazin dhe Drita Millakun. Kalimi nga LVV-ja në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), nuk i solli dobi Abazit…

Lajme

21/02/2025 15:32

Albena Reshitaj, Doarsa Kica- Xhelili dhe Adelina Grainca janë tri deputetet që ia kanë pa hairin ndërrimit të partive.

Të tria janë “shpërblyer” me vota në zgjedhjet e 9 shkurtit. Fat tjetër e ka përcjellur Haki Abazin dhe Drita Millakun. Kalimi nga LVV-ja në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), nuk i solli dobi Abazit në aspektin e grumbullimit të votave, raporton Kallxo.com

Ngjashëm ndodhi edhe me Millakun pas kalimit të saj nga LVV-ja në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).Në zgjedhjet e vitit 2025, Albena Reshitaj garoi për deputete në kuadër të listës së LVV-së, me ç’rast, bazuar në rezultatet preliminare të KQZ-së, ajo arriti të fitoj 25 mijë e 667 vota.

Kur ishte në AAK, në vitin 2021 ajo kishte fituar trefish më pak vota, apo 5 mijë e 916 gjithsej. Nga ana tjetër, Doarsa Kica- Xhelili ishte larguar nga Lista Guxo një vit pas zgjedhjeve të vitit 2021 për të kaluar në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).

Si kandidate për deputete në kuadër të listës së LVV-Guxo, ajo kishte fituar 10 mijë e 609 vota. Por, kalimi në LDK, ia ka rritur elektoratin. Në zgjedhjet e fundit ajo ka grumbulluar 48 mijë e 806 vota, duke u bërë gruaja më e votuar në këtë parti.

Deputetja Adelina Grainca e kishte braktisur Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), me të cilën kishte fituar 7 mijë e 153 vota në vitin 2021.

Dhe, me LVV-në, në vitin 2025 ajo fitoi shumëfish më shumë vota, apo gjithsej 24 mijë e 582.

Por, “sherrin” ndërrimit të partisë ia ka parë Haki Abazi, i cili me LVV-në në vitin 2021 i kishte mbledhur 7 mijë 587 vota, ndërsa në vitin 2025 me AAK-në i ka fituar vetëm 1 mijë e 523 vota.

Edhe Drita Millaku në vitin 2021 si pjesë e LVV-së i ka pasur 14 mijë e 686 vota, ndërsa me LDK-në në vitin 2025 ka rënë në 6 mijë e 695 vota.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar rezultatet preliminare të kandidatëve për subjektet politike.

Sipas përditësimit të fundit që është bërë më 20.02.2025 11:42, rezulton se janë numëruar 97.55% e votave.Në këto rezultate nuk përfshihen rezultatet e votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave nga votimi jashtë Kosovës, numërimi i të cilave sipas KQZ-së do të bëhet gjatë ditëve në vazhdim në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

Në bazë të rezultateve të fundit preliminare të përditësuara në orën 09:46, më datë 20.02.2025 në ueb-faqen e KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) është e para me 40.80 për qind apo 342, 281 vota.

Partia e dytë me më së shumti vota është Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 22.03 për qind e votave, apo 184, 811 vota.

E treta është renditur Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 17.63 për qind, apo 147,888 vota.Koalicioni i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me Nismën, Demokratët, Intelektualët dhe Listën Ideal kanë marr 7.46 për qind të votave, apo 62,588 vota.Lista Serbe është partia e pestë me 4.61 për qind apo 18,942 vota.Më 09.02.2025, Kosova mbajti Zgjedhjet e rregullta parlamentare.

https://rezultatet2025.net/sq