Dialogu Strategjik ShBA-Serbi: DASH publikon deklaratën ku flitet për bashkëpunim në energji, ekonomi e mbrojtje

Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar deklaratën e përbashkët të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Serbisë, pas zhvillimit të Dialogut të parë Strategjik SHBA–Serbi. Në deklaratë thuhet se dialogu shënon “një synim të përbashkët për forcimin e partneritetit ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë dhe rritjen e bashkëpunimit dypalësh për promovimin e paqes, sigurisë…

Lajme

17/07/2026 23:11

Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar deklaratën e përbashkët të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Serbisë, pas zhvillimit të Dialogut të parë Strategjik SHBA–Serbi.

Në deklaratë thuhet se dialogu shënon “një synim të përbashkët për forcimin e partneritetit ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë dhe rritjen e bashkëpunimit dypalësh për promovimin e paqes, sigurisë dhe prosperitetit”.

Po ashtu, bëhet e ditur se SHBA-ja dhe Serbia kanë nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi për infrastrukturën energjetike dhe sigurinë rajonale të energjisë.

‘’Dy vendet mirëpritën gjithashtu njoftimin për një garanci kredie prej 50 milionë dollarësh nga Banka e Eksport-Importit të Shteteve të Bashkuara për grupin Telekom Srbija, për zhvillimin e rrjetit 5G të Serbisë duke përdorur furnizues të besueshëm, duke rritur sigurinë dhe besueshmërinë e sistemeve të komunikimit në Serbi’’, thuhet mes tjerash në deklaratë.

Deklarata trajton edhe bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, duke theksuar se SHBA-ja dhe Serbia kanë riafirmuar përkushtimin e tyre për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në rajon, si dhe janë zotuar të intensifikojnë angazhimet ushtarake dypalëshe.

“Serbia ka kërkuar blerjen e pajisjeve mbrojtëse amerikane, të cilat do të shërbejnë për rritjen e ndërveprueshmërisë së forcave të armatosura të të dy vendeve dhe për ndërtimin mbi marrëdhëniet e krijuara gjatë ushtrimeve dypalëshe e shumëpalëshe dhe misioneve të përbashkëta paqeruajtëse.

Gjithashtu, Departamenti i Shtetit njoftoi se ka ndarë 1.5 milionë dollarë për vazhdimin e bashkëpunimit në fushën e çminimit civil, me qëllim pastrimin e zonave nga minat tokësore dhe mjetet shpërthyese të pashpërthyera”, thuhet tutje.