Dialogu me Serbinë nuk do të ndalet

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri thotë se pavarësisht zgjedhjeve në Serbi dhe në Kosovë, procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet këtyre dy vendeve nuk do të ndalet. Por, periudha zgjedhore do ta ngadalësojë dinamikën e bisedimeve.

Lajme

11/03/2014 09:34

Kryenegociatorja e Kosovës në dialogun politik me Serbinë, Edita Tahiri, ka paralajmëruar të hënën se ky proces nuk do të ndërpritet, pavarësisht mbajtjes së zgjedhjeve në Serbi, në Kosovë dhe në Bashkimin Europian.

Mirëpo, Tahiri ka thënë se në këtë periudhë të zgjedhjeve ka pasur ndikime në shmangien e Serbisë në angazhimet për t’i vazhduar çështjet e mbetura hapur.

“Edhe Bashkimi Europian, por edhe ne si shtet mendojmë se procesi i dialogut duhet të vazhdojë deri në momentin kur do të ndodhë njohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë, gjë që në atë kohë edhe Kosova do ta njohë Serbinë si shtet”.

“Mirëpo në këtë periudhë të zgjedhjeve mund të konstatoj se ka pasur ndikime në shmangien e Serbisë jo vetëm në angazhimet për të vazhduar çështjet e mbetura hapur, por edhe në kuptimin e zbatimit të marrëveshjeve. Nga ana e Serbisë ka pasur një lloj prolongimi dhe mospërmbushje obligimesh për ato gjëra të cilat ende nuk janë zbatuar”, ka thënë Tahiri për “Epoka e re”.

Ajo ka bërë me dije se hyrja e Serbisë në zgjedhje ka ndikuar në ngadalësimin e dinamikës së dialogut. Madje ajo ka thënë se në këtë periudhë Serbia iu ka shmangur obligimeve të saj sa i përket zbatimit të disa marrëveshjeve.

“Vetë fakti se Serbia ka hyrë në zgjedhje ka ndikuar në ngadalësimin e ritmit të dialogu, por edhe të ikjes nga obligimet zbatuese në disa aspekte”, tha Edita Tahiri në “Epoka e re”.