Di Maria, më i miri i Realit

Trajneri i Atletico Madridit, Diego Smeone ka thënë se Angel di Maria është futbollisti më i mirë i Real Madridit. Ai thekson se inkuadrimi i argjentinasit i vështirësoi punën skuadrës së tij në Santiago Bernabeu.

Sport

20/08/2014 09:56

Trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone ka lavdëruar Angel di Marian si futbollistin më të mirë të Real Madridit.

Skuadrat barazuan me rezultat 1:1 në Santiago Bernabeu në ndeshjen e parë të Superkupës së Spanjës. Dhe, Simeone pranoi se skuadra e tij e pati më të vështirë në pjesën e dytë pas inkuadrimit në lojë të yllit argjentinas.

“Në pjesën e parë kemi pasur katër raste për gol. Kurse, në pjesën e dytë Reali ishte më i mirë me inkuadrimin e Di Marias, logjike sepse ai është futbollisti më i mirë i tyre”, deklaroi Simeone për mediat spanjolle.

“Di Maria është futbollisti më i mirë i Real Madridit. Është i papërshtatshëm dhe u mundëson atyre të luajnë më mirë. Kështu mendoj unë”, shtoi ai. Simeone pranoi se ende asgjë nuk është caktuar.

“Është pak e besueshme të mendohet se do të luajmë për 0:0 në ndeshjen e kthimit. Reali gjithmonë shënon gola dhe ka shumë raste për gol”, përfundoi ai.