Dhunimi i gruas me aftësi të kufizuara në Skenderaj, Kolektivi për Veprim Feminist realizon aksion duke shkruar grafite në qytet

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, ka realizuar një aksion në qytetin e Skenderajt. Kjo pas dhunimit të një gruaje me aftësi të kufizuara, e cila si pasojë e dhunimit është shtatzënë. Ky Kolektiv në kuadër të këtij aksioni kanë shkruar disa grafite në qytet, shkruan lajmi.net. “Poshtë patriarkati dhunues e dehumanizues”, “Dhuna ndaj grave…

Lajme

18/03/2025 20:23

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, ka realizuar një aksion në qytetin e Skenderajt.

Kjo pas dhunimit të një gruaje me aftësi të kufizuara, e cila si pasojë e dhunimit është shtatzënë.

Ky Kolektiv në kuadër të këtij aksioni kanë shkruar disa grafite në qytet, shkruan lajmi.net.

“Poshtë patriarkati dhunues e dehumanizues”, “Dhuna ndaj grave me aftësi të kufizuara është çështje feministe”, “Luftojmë për çlirimin e çdo gruaje”, “Siguri e drejtësi për gratë me aftësi të kufizuara”, janë disa nga grafitet e shkruara në rrugë.

Komunikata e plotë e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist:

Këtë javë morëm vesh që edhe një grua me aftësi të kufizuara është dhunuar. Mediat raportuan që policia e Kosovës ka marrë një denoncim që një grua me aftësi të kufizuara nga Skënderaji është dhunuar dhe si pasojë e këtij dhunimi ka mbetur shtatëzënë.
Marrë së bashku, dy raportimet e fundit të abuzimit seksual ndaj grave me aftësi të kufizuara dhe bisedat që i kanë pasuar, kanë treguar që dhuna ndaj personave me aftësi të kufizuara janë të gjerësisht të përhapura. Po ashtu, ato kanë treguar se dhuna ndaj këtyre trupave mbetet më së paku e trajtuar dhe në skaje të ligjërimit feminist mbi dhunën me bazë gjinore dhe drejtësinë shoqërore. Të tronditur/a nga shtrirja e dhunës patriarkale që lëshohet mbi trupat e vajzave dhe grave, ne lamë parulla mureve të Skënderajit si akte solidarizimi e pozicionimi politik.
Për ne është vitale që t’i kundërvihemi aktivisht hierarkizimit të njerëzve që i kornizon disa subjekte si të vlefshme, teksa tjetërson të tjera që nuk shihen “normale” apo “të afta”, e për rrjedhojë subjekte të dinjitetshme që meritojnë artikulim politik. Gjithashtu, për ne, çlirimi i të gjitha vajzave dhe grave është çështje feministe. Kjo në projektin tonë përkthehet vetëm atëherë kur të fundën në hierarki e vendosim të parën dhe në ballë të përpjekjes tonë.