Dhuna ndaj qytetarit me aftësi të kufizuara në Ferizaj, Policia po e interviston një person të dyshuar

Një person me aftësi të kufizuar në Ferizaj, i njohur si “Cufa”, ka marrë lëndime trupore pasi që i njëjti dyshohet se është sulmuar fizikisht nga një person tjetër. Zëdhënësi i Policisë së Kosovë në rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli ka thënë për lajmi.net se ngjarja dyshohet të ketë ndodhur dy ditë më parë në…

Lajme

12/05/2025 14:02

Një person me aftësi të kufizuar në Ferizaj, i njohur si “Cufa”, ka marrë lëndime trupore pasi që i njëjti dyshohet se është sulmuar fizikisht nga një person tjetër.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovë në rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli ka thënë për lajmi.net se ngjarja dyshohet të ketë ndodhur dy ditë më parë në sheshin e qytetit.

Siç ka njoftuar Veseli, është identifikuar një person i dyshuar dhe është ftuar në stacion për intervistim.

“Sot rreth orës 11:00, Policia Rajonale e Ferizajt ka pranuar një informatë përmes rrjeteve sociale lidhur me një incident, ku dyshohet se është sulmuar fizikisht një person me aftësi të kufizuara, i njohur si “Cufa”. Menjëherë pas pranimit të informatës, hetuesit e stacionit policor në Ferizaj janë angazhuar dhe kanë arritur të identifikojnë një person të dyshuar, i cili është ftuar në stacion për intervistim. Ngjarja dyshohet se ka ndodhur dy ditë më parë në sheshin e qytetit. Me autorizim të prokurorit të shtetit, policia ka nisur procedurat për shqyrtimin e kamerave të sigurisë me qëllim të sqarimit të rrethanave të rastit”, ka thënë Veseli.

Për rastin, pak orë më parë ka raportuar një qytetar i Ferizajt, i cili ka kërkuar që sa më parë të dënohen personat që e kanë kryer veprën.  /Lajmi.net/