DhTIK shpreh shqetësimin e thellë me situatën e krijuar sa i përket regjistrimit të automjeteve
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, shpreh shqetësimin e thellë me situatën e krijuar sa i përket regjistrimit të automjeteve. Sipas DhTIK, që nga ditët e para kur bizneset hasën në pengesa për të kryer procesin e regjistrimit, Dhoma është angazhuar për të gjetur një zgjidhje në lidhje me këtë çështje. “Në takimin që kemi…

Lajme
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, shpreh shqetësimin e thellë me situatën e krijuar sa i përket regjistrimit të automjeteve.
Sipas DhTIK, që nga ditët e para kur bizneset hasën në pengesa për të kryer procesin e regjistrimit, Dhoma është angazhuar për të gjetur një zgjidhje në lidhje me këtë çështje.
“Në takimin që kemi mbajtur me zyrtarë të Agjencisë së Regjistrimit Civil dhe Policisë, nga kjo e fundit jemi njoftuar që ata kanë pezulluar përkohësisht gjobat e trafikut për bizneset, vetëm në rastet kur rastet kur vozitësit e automjeteve nuk janë identifikuar, përderisa gjobat e bizneseve në rastet kur vozitësit janë identifikuar, mbeten në fuqi deri në zgjidhjen e kësaj çështje”, thuhet në reagimin e DhTIK.
Zyrtarë të Dhomës kanë kërkuar që ky pezullim të aplikohet për të gjitha llojet e gjobave të bizneseve deri në gjetjen e një zgjidhje të drejtë dhe të përballueshme.
Më tej thuhet se Dhoma është jashtëzakonisht e shqetësuar me qasjen që institucionet përgjegjëse kanë zgjedhur të veprojnë karshi kësaj situate, duke bllokuar të gjithë flotën e automjeteve të një biznesi dhe jo automjeti, i cili është gjobitur.
“Kjo po pamundëson regjistrimin e të gjitha mjeteve të tjera që nuk kanë asnjë detyrim të papaguar”, thuhet në reagim.
DhTIK tha se “për ne mbetet e paqartë pse ky nen (Neni 89, paragrafi 4), nuk u aplikua nga momenti i hyrjes në fuqi të ligjit, (Ligjit Nr. 08/L-186 për Rregullat e Trafikut Rrugor) në muajin mars 2024, por tani”.
DhTIK u bënë thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse që të reflektojnë dhe të angazhohen në zgjidhjen e kësaj bllokade.