Dhëndri që vrau dy vëllezërit Morina, ishte dënuar me 5 muaj burgim për dhunë në familje dhe kanosje
Në derë të shtëpisë e nga duart e dhëndrit u vranë dje dy vëllezërit, Naim dhe Driton Morina. Driton dhe Naim Morina u vranë nga dhëndri i tyre, Astrit Isufi, ky i fundit u arrestua sot nga Policia e Kosovës pas një operacion të madh kërkimor për të, raporton lajmi.net Ndërkaq, sot Gjykata Themelore në Prishtinë…
Lajme
Në derë të shtëpisë e nga duart e dhëndrit u vranë dje dy vëllezërit, Naim dhe Driton Morina.
Driton dhe Naim Morina u vranë nga dhëndri i tyre, Astrit Isufi, ky i fundit u arrestua sot nga Policia e Kosovës pas një operacion të madh kërkimor për të, raporton lajmi.net
Ndërkaq, sot Gjykata Themelore në Prishtinë – Divizioni për Çështje Penale, Dega në Gllogoc, kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Isufi i cili është shpallur fajtor për veprat penale “Dhunë në familje” dhe “Kanosje”.
Sipas njoftimit të zëdhënëses së Gjykatës, Mirlinda Gashi dhënë për Lajmi.net, pas ngritjes së aktakuzës më 7 prill 2025, dhe pas zhvillimit të shqyrtimit gjyqësor më 16 prill 2025, gjykata ka vendosur që ta dënojë të akuzuarin me 154 ditë burgim si dhe me një gjobë prej 800 eurosh.
Gjykata ka përcaktuar që gjoba të paguhet brenda 90 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit, ndërsa në rast mosshlyerjeje ajo do të zëvendësohet me burgim, duke llogaritur 20 euro për një ditë burgimi.
Koha e kaluar në paraburgim, që nga 6 prilli 2025, do t’i llogaritet në dënimin e shqiptuar. Me aktvendim të veçantë, të akuzuarit Astrit Isufi i është caktuar masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar.
Ndërkohë, mbrojtësi i të akuzuarit ka paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit të Kosovës.
Familjarë të shumtë sot u mblodhën për t’u dhënë lamtumirën e fundit vëllezërve Morina të cilët erdhën në Kosovë për të mbajtur të pamet e babait.
Detaje se si Astrit Isufi keqtrajtonte gruan e tij:
Isufi më 30 mars të vitit 2025 theksohet që kishte rrahur gruan e tij dhe të njëjtën e kishte kërcënuar që në rast se ndahet nga ai, do t’ia vrasë anëtarët e familjes.
Gjithnjë sipas dosjes, më 30 mars të këtij viti, Astrit Isufi në mëngjes derisa gruaja e tij po përgatiste drekën e festës së Bajramit meqë rast i pandehuri ishte zgjuar nga gjumi dhe e kishte thirrur gruan e tij të cilën e kishte goditur me peshqir në trup duke i kërkuar asaj që t’i zgjojë fëmijët nga gjumi.
E njëjta më pas kishte shkuar tek fëmijët, po rata nuk ishin ende zgjuar duke u kthyer sërish tek Isufi për t’i treguar. Pas kësaj, Astrit Isufi përshkruhet se ishte nervozuar dhe kishte filluar ta sulmoj fizikisht gruan e tij, përfshirë këtu shuplaka e grushte në gjithë pjesën e trupit.
Pasi kishin kaluar disa orë, Astrit Isufi ishte kthyer në shtëpi pas disa vizitave tek familjarët dhe kishte kërkuar ushqim nga gruaja e tij kur viktima i kishte thënë se mungon një nga produktet ushqimore meqë rast kishte nisur një sherr tjetër, ku gruaja u rrah për herë të dytë brenda ditës.
Duke mos u mjaftuar me kaq, Astrit Isufi kishte marrë pjatat e ushqimit dhe i kishte thyer në tokë duke e tërhequr më pas zvarrë gruan e tij dhe të njëjtën e kishte futur në dhunë ku kishte filluar ta godasë me kabllo të rrymës në pjesë të ndryshme trupore. Në atë moment në dhomë kishte hyrë vajza e tyre dhe i kishte kërkuar babait të saj, të pandehurit Isufi që të ndaloj sepse “po e mbys nënën”.
Dosja sqaron po ashtu se pavarësisht kësaj kërkese, Astrit Isufi nuk kishte ndaluar derisa i është dukur mjaftueshëm dhunë e përdorur ndaj bashkëshortes të cilën më pas e ka larguar nga shtëpia.
Duke shkuar edhe më tutje, Astrit Isufi në po këtë ditë të festës së Bajramit e kishte kërcënuar gruan dhe e kishte paralajmëruar atë se në rast se ndahet nga ia, do t’ia vrasë të gjithë anëtarët e familjes.
“Ti s’guxon me u nda me mua, se kam me të vra familjen- me t’i faru me ka krejt”, në dosje përshkruhet kërcënimi në fjalë.
Edhe pse Prokuroria Themelore dje konfirmoi se aktakuza ishte ngritur ndaj të njëjtit, Gjykata Themelore e Prishtinës me degë në Drenas kishte dënuar atë me burg prej 154 ditë dhe 300 euro gjobë për dhunë në familje derisa kanosja i llogaritej 500 euro- që i bie gjobë prej 800 euro gjithsej.
“Çmenduria” e këtij rasti shkon edhe më larg ku gruaja në fjalë kishte treguar se asaj nuk i ishte lejuar as mbajtja e telefonit.
Pa telefon dhe me dhunë fizike të vazhdueshme, gruaja kishte treguar se nuk ka mund as ta raportoj rastin e dhunës sepse s’kishte mundësi. Ai madje kishte kërkuar nga gruaja që t’u thotë familjarëve se nuk kanë çka lypin aty. Pas kësaj, gruaja ishte vendosur tek familja e saj, ndërsa fëmijët po jetonin tek babai për shkak që të mos u ndërpritej shkollimi.
Pasi Isufi ishte dënuar me 5 muaj burgim, Gjykata e Apelit kishte ndryshuar vendimin e shkallës së parë, duke i ndryshuar edhe kohëzgjatjen e dënimit nga 5 në 3 muaj për rrahjen brutale të gruas së tij si dhe kërcënimet ndaj të njëjtës .
Në lidhje me vendimin e Themelores, kishte bërë ankesë avokati i Astrit Isufit, Muhamet Binaku. Në përgjigjen në ankesë ishte paraqitur edhe përfaqësuesi i gruas së Astritit, Faik Morina duke treguar se gruaja ishte kthyer në shtëpinë e përbashkët me Astritin në Komoran te fëmijët e saj më 22.04.2025 me marrëveshjen e dy palëve të familjes.
Më pas Apeli kishte mbajtur edhe seancën e kolegjit dhe kishte shqyrtuar ankesën e cila nuk ishte për shkelje esenciale të vendimit por për ndryshimin e saj. Mbrojtësit e dy palëve në këtë rast Astrit Isufit dhe gruas së tij kishin mbështetur kërkesën që të shqiptohej një dënim alternativ siç është ai me kusht.Gjykata e Apelit kishte shqyrtuar të gjithë situatën dhe kishte ardhur në përfundim që t’i ulte dënimin me burgim të dënuarit Astrit Isufit nga 5 muaj në tre muaj burgim duke shtuar se ky dënim është më i butë është në harmoni me intensitetin e rrezikshmërisë shoqërore të kryerjes së veprës penale me shkallën e përgjegjësisë së të akuzuarit dhe kjo do të shërbej si preventivë gjenerale.
Në lidhje me këtë çështje, lajmi.net ka kontaktuar edhe avokatin e gruas së Astrit Isufit, Faik Morina i cili bëri të ditur se ndaj Isufit ka pasur një urdhër që të mos i afrohet gruas.
Gruaja ishte kthyer në shtëpinë e tij gjatë kohës sa ishte në burgim për të qëndruar afër fëmijëve.
Morina ka theksuar se ndaj Isufit pati për një vit urdhër-mbrojtës që të mos i afrohet gruas së tij.
“Për një vit burri i saj dhe familja e tij patën për një vit urdhër-mbrojtës që të mos e shqetësojnë atë dhe as fëmijët. Çfarë ka ndodhur me urdhër-mbrojtës më nuk e di”,deklaroi Morina.
Ai tha po ashtu se ka kaluar kohë dhe s’e di saktësisht se si ndodhi pastaj.
Astrit Isufi tanimë është arrestuar si i dyshuar kyç për vrasjen e dy vëllezërve të grua, Driton dhe Naim Morina.
Isufi u arrestua mëngjesin e sotme dhe raportohet të jetë i plagosur në pjesën abdominale të trupit. Ai po trajtohet në QKUK./Lajmi.net/