Detaje-Si vendosën Mujka e Muzliukaj që sallën e leximit të bibliotekës ta shndërrojë në kafteri dhe si ishin sekuestruar 60 mijë euro në këtë rast
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur sot aktakuzë ndaj Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukaj. Aktakuza në fjalë nuk është ngritur ndaj një njeriu krejtësisht për publikun, sepse Mujka ndër vite ka qenë emër i përmendur vazhdimisht. Prokuroria ngriti aktakuzë ndaj Faruk Mujkës, anëtarin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeshefin ekzekutiv të Bordit të ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër…

Lajme
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur sot aktakuzë ndaj Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukaj.
Aktakuza në fjalë nuk është ngritur ndaj një njeriu krejtësisht për publikun, sepse Mujka ndër vite ka qenë emër i përmendur vazhdimisht.
Prokuroria ngriti aktakuzë ndaj Faruk Mujkës, anëtarin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeshefin ekzekutiv të Bordit të ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër Lepenci”.
Aktakuza u dorëzua tek Gjykata Themelore në Prishtinë.
Sipas aktakuzës dyshimet janë se buxhetit të shtetit iu shkaktuan dëme mbi 120 mijë euro.
“Të pandehurit akuzohen se, F.M., në pozitën e nënkryetarit të komunës së Mitrovicës së Jugut, dhe H.M., si Drejtor i Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në të njëjtën komunë, me dashje dhe duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, kanë tejkaluar kompetencat me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për persona të tretë dhe në dëm të pronës publike. Sipas aktakuzës, më 25.04.2021, të pandehurit, duke qenë në dijeni se Kuvendi i Komunës kishte marrë dy herë vendim për shpalljen me interes të posaçëm publik të një prone të paluajtshme, i paraqitën po këtij Kuvendi një Propozim-Vendim për këmbimin e të njëjtës prone, duke e paraqitur atë si pronë komunale, duke i shkaktuar dëm të konsiderueshëm prej 125,100.00 euro Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).”
Mujka dyshohet edhe për veprën “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare”.
Faruk Mujka për shumë vite ka drejtuar degën e Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë, derisa më vonë u vendos edhe si nënkryetar i Komunës së Mitrovicës së Jugut, në pozitën ku ishte e që dyshohet se kreu veprën për të cilën edhe po akuzohet.
Në vitin 2021, Mujka thuhet se kishte nënshkruar një vendim, i cili kishte mundësuar futjen në rend të ditës në seancën komunale diskutimin dhe votimin për tjetërsimin e një prone- e cila ishte në qendër të qytetit.
E pikërisht për këtë, dy vite më vonë Mujka u arrestua bashkë me ish-drejtorin për Kadastër dhe Gjeodezi-Pronë, Hysen Muzliukaj.
Në një bastisje të kryer asokohe nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë ishte gjetur hiç më pak se 60 mijë euro.
Në njoftimin e Prokurorisë Speciale asokohe thuhej se në këtë aksion janë sekuestruar 60 mijë euro, e se vepra për të cilën dyshohen Mujka dhe një ish zyrtar tjetër është Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Pas marrjes së informacionit në bazë të autorizimeve të PSRK-së, Policia e Kosovës ka ndërmarrë një sërë veprimesh hetimore, ndërsa me datë 03.07.2023, ka paraqitur Kallëzim Penal ndaj zyrtarëve me inicialet F.M. dhe H.M., me dyshimin se gjatë kohës sa ishin pjesë e udhëheqësisë në komunën e Mitrovicës së Jugut, gjatë vitit 2021, janë përfshirë në kryerjen e veprës penale ‘’Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar’.’, e sanksionuar me nenin 414 të Kodit Penal të Republikë së Kosovës”. Gjatë bastisjes në njërin lokacion, ndër të tjera janë gjetur dhe sekuestruar shuma e të hollave prej gjashtëdhjetë mijë (60.000.00) euro.” “ – thuhet ndër të tjera në komunikatë.
Kodi Penal i Republikës së Kosovës, përkatësisht neni 414, parasheh dënim nga 1 deri në 8 vjet për kryerjen e kësaj vepre. Por, kur dëmi e kalon shumën prej 5 mijë euro, dënimi mund të shkoj deri në 10 vjet burgim.
“Personi zyrtar që e kryen veprën penale nga paragrafi 1 i këtij neni dhe përfitimi apo dëmi e tejkalon shumën prej pesëmijë (5000) euro, dënohet me gjobë dhe burgim prej tre (3) deri në dhjetë (10) vjet.” – thuhet në Kodin Penal.
E avokat mbrojtës në këtë rast, Mujka kishte marrë ish-deputetin e LDK-së dhe ish kryetarin e Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri.
E kjo çështje kishte nisur pas raportimeve nga kallxo, se si Komuna e Mitrovicës asokohe sa udhëhiqej nga Agim Bahiri vendosi që sallën e leximit të bibliotekës në Mitrovicë ta shndërroj në kafiteri.
Biblioteka e qytetit me vendimin e bordit të drejtorëve të Komunës së Mitrovicës ishte larguar nga objekti i “Bankosit” për t’u vendosur në një qendër sportive në Mitrovicë.Hapësira prej 139 metra katrorë e katit përdhesë e ndërtesës së “Bankosit” në sheshin e Mitrovicës ka kaluar nga prona shtetëror në pronë private. ekzekutivi i komunës së Mitrovicës nëpërmjet drejtorisë së kadastrës kishte kërkuar nga Kuvendin Komunal në Mitrovicës votimin e këtij vendimi e i cili ishte votuar me vota unanime.Mujka është arrestuar pas një operacioni anti-korrupsion dhe bastisjes që kryen Forcat Speciale Policore.
Pas gjithë kësaj buje në përballje me institucionet e hetuesisë, Mujka pati ngritje në detyra në institucionet e vendit.
Mujka u zgjodhë Kryeshef Ekzekutiv i Ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër Lepenc” e keq nuk mbeti as Muziukaj i cili u bë këshilltar i ministrit të Bujqësisë, Faton Peci e para një muaji Drejtori i Institutit të Administratës Publike.
Pasuria e Mujkës:
Në deklarimin e tij të pasurisë për vitin 2022, shihet se Mujka qëndron goxha mirë financiarisht. Ish-kryetari i degës së VV-së ka treguar se i ka tri banesa, një prej tyre në pronësi të bashkëshortes. Tutje, ai e ka blerë edhe një shtëpi.
Tri banesat e Mujkës kapin shifrën e 135 mijë eurove, ndërsa shtëpia i kushton hiç më pak se 200 mijë euro. Si pasuri të luajtshme ai ka treguar një veturë të tipit Volsëagen, në pronësi të bashkëshortes, e cila kushton 4 mijë euro.
Të ardhura vjetore, ish-kryetari i VV-së në Mitrovicë, pra Mujka, ka dhënë mbi 2 mijë euro nga pozita në Ibër Lepenc, mëditje mbi tre mijë euro dhe një pagë neto nga Ministria e Financave prej 300 euro. Tutje, ai ka deklaruar edhe 7 mijë e 500 euro të hyra vjetore të bashkëshortes së tij./Lajmi.net/