Detaje për biznesmenin në Gjilan që dyshohet se me falsifikim të dokumenteve fitoj tendere në vlerë 1 milion e 900 mijë euro

Policia e Kosovës ka arrestuar gjatë ditës së djeshme të dyshuarin I.H, pasi që i njëjti dyshohet se ka përdorur dokumente të falsifikuara në mënyrë që të fitojë tender në institucionet lokale në Gjilan dhe Kamenicë.

Lajme

09/12/2021 08:58

Si prova materiale në këtë rast janë sekuestruar: dy shtëpiza kompjuteri, gjashtë DUD doganor, aneks kontrata, katër vula të biznesit dhe një telefon.

Vlera totale e tenderëve të fituar me dokumente false arrin shumën rreth 1 milion e 900 mijë euro, transmeton lajmi.net.

“Gjilan-Kamenicë (NN) 2018-2020-NN. Pas një pune hetimore, me datë 08.12.2021 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që dyshohet se i njëjti duke përdorur dokumente të falsifikuara ka arritur që të fitoj disa tender në institucionet lokale në Gjilan dhe Kamenicë. Si prova materiale janë sekuestruar: dy shtëpiza kompjuteri, gjashtë DUD doganor, aneks kontrata, katër vula të biznesit dhe një telefon. Vlera totale e tenderëve të fituar me dokumente të falsifikuara arrin shumën rreth 1.900.000,00 (1 milion e 9 qind mijë euro). Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit me vendim të së cilit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e policisë.

Kurse nga Prokuroria dje është thënë Prokuroria Themelore në Gjilan, me urdhër të prokurorit nga Departamenti për Krime të Rënda, ka ndaluar të dyshuarin me inicialet, I.H., në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurorim publik”, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Prokuroria njofton opinionin publik se ekziston dyshimi që, i dyshuari I.H., si pronar i kompanisë “Globi M.I.”, në Gjilan, përmes prezantimit të dokumenteve të falsifikuara ka arritur që ti fitonte tre tenderë në regjionin e Gjilanit, në vlerë rreth 1 milion e 900 mijë euro”.

Me këto veprime i lartcekuri dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik”, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, për të cilën gjendet nën masën e ndalimit, sid he ndaj të njëtit prokuroria do të vazhdojë procedurat e mëtejme hetimore./Lajmi.net/