Detaje nga rasti i rëndë në Junik: Prokuroria dhe Policia po hetojnë vdekjen e një gruaje të moshuar, tjetra në QKUK
Një ngjarje e rëndë është raportuar pasditen e së mërkurës në lagjen Pepsh në Junik, ku në një shtëpi ku jetonin dy gra të moshuara, njëra prej tyre është gjetur pa shenja jete, ndërsa tjetra është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Sipas Policisë së Kosovës, rreth orës 15:15, autoritetet…
Lajme
Një ngjarje e rëndë është raportuar pasditen e së mërkurës në lagjen Pepsh në Junik, ku në një shtëpi ku jetonin dy gra të moshuara, njëra prej tyre është gjetur pa shenja jete, ndërsa tjetra është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Sipas Policisë së Kosovës, rreth orës 15:15, autoritetet janë njoftuar nga qytetarët dhe familjarët, të cilët kishin shprehur shqetësim pasi dy të moshuarat nuk po u përgjigjeshin thirrjeve telefonike. Menjëherë pas pranimit të informacionit, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes.
Rastin e ka konfirmuar për lajmi.net, Driton Rugova, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, i cili ka bërë të ditur se brenda shtëpisë janë gjetur dy gra të shtrira. Ekipet emergjente mjekësore, që kanë dalë në vendngjarje, kanë konstatuar se njëra nga to ishte pa shenja jete, ndërsa e dyta është dërguar fillimisht në Spitalin e Gjakovës dhe më pas në QKUK në Prishtinë për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.
Ndërkohë, lidhur me rastin ka folur për lajmi.net edhe zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, i cili ka bërë të ditur se në vendin e ngjarjes ka dalë edhe Prokurori i Krimeve të Rënda.
Sipas Nikçit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë për obduksion, me qëllim të sqarimit të shkakut të vdekjes.
Ai ka shtuar se Prokuroria ka autorizuar Policinë e Kosovës që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për të kuptuar shkaqet dhe rrethanat e vdekjes së viktimës, si dhe për të realizuar edhe veprime të tjera hetimore, të cilat për momentin janë konfidenciale.
Rasti po trajtohet nga njësitet kompetente të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, ndërsa hetimet janë në vazhdim. /Lajmi.net/