Dështon seanca ndaj ish-prokurorit Bajram Hamitaga

Seanca në procesin gjyqësor ku i akuzuar kryesor është ish prokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Bajram Hamitaga, nuk është mbajtur sot për shkak të mungesës së prokurorit dhe njërit nga të akuzuarit.

Lajme

30/04/2018 11:03

Përveç prokurorit Arben Ismajli, në sallë të Gjykatës Themelore në Gjilan ka munguar edhe i akuzuari Luan Delili.

Kryetari i trupit gjykues, Aziz Shaqiri, njoftoi palët se prokurori Ismajli ka qenë i angazhuar në Këshillin Prokurorial.

Ndërkaq për të akuzuarin Luan Delili u tha se i janë paraqitur probleme rrugës për në gjykatë.

Në këtë proces gjyqësor prokurori Bajram Hamitaga akuzohet për keqpërdorim detyre, ndërsa Luan Delili për frikësim ndaj procedurës penale.

Hetimet ndaj Hamitagës dhe Delilit filluan menjëherë pas transmetimit të emisionit “Drejtësia në Kosovë” në maj të vitit 2016, në të cilin prokurori akuzohej se ka kërkuar favore nga një i dyshuar ndaj të cilit ai po i zhvillonte hetimet./kallxo