Dështon gjykimi për gazin lotsjellës, seanca e radhës një ditë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit
Në mungesë të të akuzuarve Pal lekaj, Besa Baftiu dhe Donika Kadaj-Bujupi ka dështuar te ënjten të mbahet gjykimi për gazin lotsjellës në Kuvendin e Kosovës. E pranishme në seancë ka qenë vetëm e akuzuara tjetër ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Seanca e radhës është caktuar më 10 shkurt, një ditë pasi të mbahen zgjedhjet…
Lajme
Në mungesë të të akuzuarve Pal lekaj, Besa Baftiu dhe Donika Kadaj-Bujupi ka dështuar te ënjten të mbahet gjykimi për gazin lotsjellës në Kuvendin e Kosovës. E pranishme në seancë ka qenë vetëm e akuzuara tjetër ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Seanca e radhës është caktuar më 10 shkurt, një ditë pasi të mbahen zgjedhjet nacionale.
Vendimin e ka marrë kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Fatime Demaku
Paraprakisht, ministrja Haxhiu kërkoi nga gjykata të caktojë seancën për muajin shkurt pasi ka të ngjeshur agjendën gjatë muajit janar.
Në seancë ishte edhe mbrojtësi i të akuzuarit Lekaj, avokati Musa Damati.
Në këtë rast, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deputeti Pal Lekaj dhe ish-deputetet Donika Kadaj-Bujupi dhe Besa Baftiu, akuzohen për posedim të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës më 2016.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 18 maj 2021, në mungesë të provave, i kishte liruar nga akuzat për armëmbajtje pa leje, ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deputetin Pal Lekaj dhe ish-deputetet Donika Kadaj-Bujupi dhe Besa Baftiu, për akuzën e posedimit të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Mirëpo, kundër këtij aktvendimi ankesë kishte parashtruar Prokuroria Themelore në Prishtinë, ku në seancën e mbajtur më 6 tetor 2022, kjo prokurori kishte kërkuar kthimin e rastit në rigjykim.
Më pas, Gjykata e Apelit më 14 tetor 2022, ka marrë vendim me të cilin ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe ka prishur aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, duke e kthyer çështjen në rigjykim.
Sipas aktakuzës së ngritur më 8 prill 2016, Pal Lekaj, Besa Baftiu, Donika Kadaj-Bujupi dhe Albulena Haxhiu akuzohen se pa autorizim kishin poseduar bombola të gazit lotsjellës.
Në aktakuzë thuhet se më 19 shkurt 2016, rreth orës 12:20, në hollin e Kuvendit e Kosovës, pas pauzës së punimeve të Kuvendit, derisa të akuzuarit ishin duke u kthyer në sallë, gjatë kontrollit nga ana e punëtorëve të sigurimit të Kuvendit, tek të akuzuarit ishin gjetur dhe sekuestruar nga një bombolë e gazit lotsjellës, të cilën e mbanin pa autorizim.
Për këto veprime, katër të akuzuarit thuhet se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, paragrafi 1, të Kodit Penal.