Dëshmitarja në rastin e Ramadan Morinës: Është i pafajshëm, jam befasuar kur është arrestuar

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë po vazhdon procesi gjyqësor ndaj Ramadan Morinës, i akuzuar për krime lufte kundër popullsisë civile. Të martën, para trupit gjykues është duke dëshmuar Zejnie Morina, bashkëfshatare e të akuzuarit, e cila ka rrëfyer për ngjarjet e ditës kur banorët ishin dëbuar nga fshati dhe praninë e forcave policore serbe, raporton…

Lajme

04/11/2026 11:40

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë po vazhdon procesi gjyqësor ndaj Ramadan Morinës, i akuzuar për krime lufte kundër popullsisë civile.

Të martën, para trupit gjykues është duke dëshmuar Zejnie Morina, bashkëfshatare e të akuzuarit, e cila ka rrëfyer për ngjarjet e ditës kur banorët ishin dëbuar nga fshati dhe praninë e forcave policore serbe, raporton lajmi.net

Ajo ka përshkruar numrin e madh të policëve, armatimin dhe pamjen e tyre, duke thënë se disa mbanin maska, ndërsa të tjerët jo.

“Ka pasë boll policë, e kanë pasë fytyrën me ngjyra. Kanë qenë të armatosur, me fishekë deri në fund të këmbëve”, ka deklaruar ajo.

Dëshmitarja ka treguar se policët pa maska qëndronin para burrave, të cilët po ndaheshin nga gratë.

“Disa kanë qenë me maska, disa pa maska. Ata pa maska kanë qenë para burrave që i kanë nda burrat prej grave. Askënd nuk e kam njohur prej forcave serbe”, ka rrëfyer dëshmitarja.

Ajo ka shtuar se uniformat e forcave serbe ishin me ngjyra të përziera, por nuk ka arritur të kujtojë nëse në to kishte ndonjë mbishkrim.

“Uniformat e tyre ishin lara-lara. S’më kujtohet nëse diçka në uniformat e tyre kishte të shkruar”, ka thënë ajo.

Gjatë dëshmisë, Zejnie Morina është pyetur edhe për raportin e saj me të akuzuarin Ramadan Morina. Ajo ka treguar se jetojnë afër njëri-tjetrit, duke theksuar se beson se ai nuk ka kryer veprën për të cilën akuzohet.

“Me Ramadanin na ndan një rrugicë”, ka deklaruar ajo.

Dëshmitarja ka këmbëngulur në pafajësinë e tij, duke thënë se do të tregonte të vërtetën edhe nëse personi i përfshirë do të ishte dikush nga familja e saj.

“Ramadani është i pafajshëm. Se me pasë diçka, djalë me pasë, vëlla me pasë, e thashë të vërtetën”, ka deklaruar Zejnie Morina në gjykatë.

Ajo ka shtuar se arrestimi i tij e kishte befasuar.

“Jam befasu kur është arrestu”, ka thënë dëshmitarja.

Ndryshe, Ramadan Morina akuzohet nga Prokuroria Speciale për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”.

Sipas aktakuzës, ai ngarkohet, ndër të tjera, për vrasjen e 34 civilëve shqiptarë më 31 mars 1999, në vendin e quajtur “Vrella e Mihillit”, në fshatin Burim të Malishevës./Lajmi.net/