Dëshmitari thotë se Oliver Ivanoviq ishte shefi i të gjitha grupeve
Ka vazhduar të hënën në Gjykatën Themelore të Mitrovicës seanca gjyqësore kundër Oliver Ivanoviqit dhe katër të akuzuarve të tjerë, të cilët akuzohen për krime lufte gjatë vitit 1999 dhe 2000.

Lajme
Dëshmitari Shemsedin Ajeti, i cili aktualisht ndodhet në Suedi, ka dëshmuar përmes video linkut, duke thënë se natën kritike ka qenë në banesën e vëllait, Nexhmedin Ajeti, me bashkëshorten dhe djalin e tij, përkatësisht Vjosa dhe Agon Ajeti, ndërsa aty kanë qenë edhe fqinjët Mazllum Mehmeti me bashkëshorten, si dhe Gani Xhaka me bashkëshorten dhe vajzën e tij.
Sipas tij, atë natë në mesin e turmës së tubuar përreth ndërtesës ku ishte ai, kishte parë nga ballkoni Oliver Ivanoviqin të uniformuar dhe të armatosur, pastaj Dragolub Delibashiqin, si dhe të dyshuarit tjerë, Ilija e Nebojsha Vujaçiq dhe Aleksandar Llazoviq.
“Oliveri dhe Delibashiqi kanë qenë koordinatorë të të gjitha ngjarjeve atë natë. I kam njohur shumë mirë. Oliveri e ka pasur zyrën afër shkollës së mjekësisë, ndërsa ka qenë shefi i të gjitha grupeve”, ka thënë mes tjerash Ajeti.
Dëshmitari ka potencuar se dy ditë para ngjarjes e ka takuar Oliver Ivanoviqin dhe e ka pyetur se çka është duke ndodhur kështu, ndërsa kishte marrë përgjigje të shkurtër nga ai: “kanë ardhur ‘frenkovcat’ (grup famëkeq paramilitar v.j.) dhe s’kam çka bëj”.
Ajeti ka përsëritur disa herë se ka parë gjithçka dhe ka qenë shumë mirë i informuar, pasi që shqiptarët në atë pjesë e kanë lajmëruar për gjithçka që ka ndodhur atë natë.
Andaj, shtoi ai, ka qenë shumë mirë në dijeni për djalin e Sllavko Mandiqit, me emrin Ivan, kur ka hyrë në njërën prej ndërtesave dhe ka urdhëruar shqiptarët t’i braktisin banesat e tyre, ndryshe do të vriten të gjithë, por edhe për vrasjen e gruas së Shaip Canhasit dhe Muharrem Sokolit.
Ai bëri të ditur se pak çaste para incidentit, kishte dalë në ballkon dhe kishte parë rreth 100 serbë të grumbulluar para ndërtesës, në mesin e tyre Oliver Ivanoviq, Dragan Delibashiq, si dhe të akuzuarit tjerë, por ka përmendur edhe vëllezërit Mitroviq, Joviq dhe Zharko Kosovac të kenë qenë në mesin e turmës.
“Njëqind për qind e kam parë Oliverin në mesin e turmës, i cili ka qenë i armatosur dhe i pajisur me motorola, dhe i cili ka qenë shefi i tyre. Pothuajse të gjithë në turmë kanë qenë të armatosur me kallashnikovë dhe bomba. Kam dëgjuar po ashtu Oliverin të thotë se asnjë nga familja Ajeti nuk guxon të mbetet gjallë, sepse janë dëshmitarë të shumë ngjarjeve gjatë dhe pas luftës”, sqaroi Ajeti.
Në anën tjetër, nënkryetarja e partisë së Oliver Ivanoviqit ‘SDP’, njëherësh kryesuesja e Kuvendit Komunal të Mitrovicës Veriore, Ksenija Bozhoviq tha për Kosovapress se procesi kundër Ivanoviqit është i motivuar politikisht dhe se shumë shpejt do të dëshmohet kjo. /Kosovapress/