Dëshmitari rrëfen maltretimet që përjetuan në luftë në Panorc të Malishevës: I akuzuari Lazoviq ka sjellë në kënd ka mujt

 Në Gjykatën Themelore në Prishtinë të mërkurën është dhënë fjala hyrëse ne gjykimin ndaj të akuzuarit për krime lufte në Panorc të Malishevës, Sërgjan Lazoviq. Në këtë seancë, në cilësinë e dëshmitarëve u dëgjuan edhe Ramadan Bacaj dhe Zaim Gashi, të cilët rrëfyen për maltretimet që kishin pësuar nga forcat policore dhe ushtarake serbe. I…

Lajme

22/10/2025 16:53

 Në Gjykatën Themelore në Prishtinë të mërkurën është dhënë fjala hyrëse ne gjykimin ndaj të akuzuarit për krime lufte në Panorc të Malishevës, Sërgjan Lazoviq. Në këtë seancë, në cilësinë e dëshmitarëve u dëgjuan edhe Ramadan Bacaj dhe Zaim Gashi, të cilët rrëfyen për maltretimet që kishin pësuar nga forcat policore dhe ushtarake serbe. I pari tregoi se në mesin e atyre që e maltretuan ishte edhe i akuzuari Lazoviq.

Fillimisht, dëshmitari Ramadan Bacaj para trupit gjykues rrefeu maltretimet që përjetoi nga forcat policore dhe ushtarake serbe dhe si ishin dëbuar nga fshati Panorc.

“Më 3 shtator në orët e pasdites ka ndodhë një tmerr i paparë, na kanë rrethu, kemi qenë në Panorc, na kanë rrethu forcat policore dhe ushtarake serbe. Pastaj, e kanë marrë një veprim për me nda gra e fëmij nga ne burrat, ne që kemi mbetë aty rresht për dy prej atij vendi ku na kanë rrethu, na kanë drejtu drejt objektit të shkollës fillore”, tha dëshmitari Bacaj.

Dëshmitari Bacaj deklaroi se ishte maltretuar gjatë rrugës për në shkollë.

“Edhe gjatë atij rrugëtimi diku gjysmë kilometre rrugë, kanë sjellë në popullatë sa kanë mujt me gjithçka. Unë kam përjetu lëndime të rënda dhe pasataj na kanë mbyllë aty në atë shkollë, pa kushte elementare shumë vetë në një dhomë të vogël, pa bukë dhe pa ujë. Të nesërmen na kanë nxjerrë të gjithëve në oborr të shkollës na kanë ulë dhe me duar mas kreje. Kanë ardhë televizione të ndryshme me kamera shumë të mëdhaja tu na fotografu dhe këta që na majshin neve të rrethun edhe këta janë të fotografuar aty”, tha Bacaj.

Bacaj tha se aty ishte edhe i akuzuari Lazoviq, i cili i kishte maltretuar.

“Ky (Lazoviq) gjatë rrugëtimit për tek shkolla ka sjellë në kënd ka mujt, me kondak dhe shqelma”, tha Bacaj.

Më pas u dëgjua dëshmitari Zaim Gashi, i cili rrëfeu maltretimet të cilat i kishte perjetuar, duke përshkruar edhe atë që i kishin thënë shokët e tij.

“Më thanë ‘le doktor se prish na kanë, na kanë rrah sa s’po mujm as në kam me u çu’. Pas pak ka hy një paramilitar në derë m’u ka drejtu ‘ti pse je ulë aty’, i thash s’e di as vetë, më tha do të vijmë pas pak e do të kryejmë punë edhe me ty”, tha Gashi.

Dëshmitari Gashi përmendi edhe rrugëtimin kur ishin ndarë dhe ishin dërguar në shkollë, të shoqëruar nga forcat serbe në Panorc.

“Vazhdimisht kanë qenë të kombinuara të tri formacionet, na kanë shoqëruar policë, ushtarë dhe paraushtarakë”, tha Gashi.

Paraprakisht, prokurori special Armend Zenelaj në fjalën hyrëse deklaroi se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor, do të dëgjohen dëshmitë e dhjetëra dëshmitarëve, të cilët në mënyrë të detajuar do përshkruajnë në tërësi gjendjen faktike të prezantuar edhe në aktakuzë, si dhe rolin e të akuzuarit.

“Sot jemi këtu për të kërkuar drejtësi për rreth 500 qytetarë civilë të nacionalitetit shqiptar, të cilët nga data 3 shtator deri më 5 shtator 1998, në fshatin Panorc, Komuna e Malishevës nga forcat policore dhe ushtarake serbe- ku bënte pjesë edhe këtu i akuzuari, janë ndarë nga gratë dhe fëmijët, janë arrestuar, maltretuar duke u mbajtur përreth 30 orë të arrestuar në mënyrë të kundërligjshme, në kushte të rënda jetese, duke ua mohuar të drejtat themelore”, tha prokurori Zenelaj.

Prokurori theksoi se në këto data ishte bërë dëbimi i popullatës civile nga shtëpitë e tyre nën kërcënimin e armëve, duke i obliguar të bashkoheshin në kolona për t’u larguar në drejtim të Shqipërisë.

“Po ashtu, me datat e lartcekura, në fshatin Panorc dhe fshatrat përreth, duke përdorur dhunë sistematike është bërë dëbimi i popullatës nga shtëpitë e tyre e më pastaj me artileri të rëndë është bërë bombardimi i këtyre fshtrave, për të vazhduar hyrjet e këmbësorisë shtëpi për shtëpi dhe nën kërcënimin e armëve largojnë banorët nga shtëpit e tyre dhe i obligojnë t’u bashkohen kolonave për t’u larguar në drejtim të Shqipërisë”, tha ndër të tjera prokurori.

Ndërsa, mbrojtësja e të akuzuarit Lazoviq, avokatja Feride Xani deklaroi se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor dhe administrimit të provave, do të vërtetohet se i mbrojturi i saj është plotësisht i pafajshëm dhe se gjykata deri në fund të këtij shqyrtimi gjyqësor do ta vërtetojë pafajësinë e tij.

Në fillim të seancës, i akuzuari Lazoviq u deklarua i pafajshëm lidhur me akuzën që i vihet në barrë.

“Nuk ndihem fajtor për këtë vepër penale për të cilën akuzohem”, tha Lazoviq.

Edhe në seancën filestare më 4 dhjetor 2024, i akuzuari është deklaruar i pafajshëm.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 19 nëntor 2024 ka ngritur aktakuzë, kundër të pandehurit Sërgjan Lazoviq, për krime lufte gjatë periudhës 1998-1999 në fshatin Panorc të Komunës së Malishevës.

Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Sërgjan Lazoviq akuzohet se në periudhën kohore 1998 – 1999, gjatë kohës së luftës në Kosovë, në fshatin Panorc, Komuna Malishevë, duke vepruar në bashkëkryerje me persona të tjerë ende të paidentifikuar, shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare dhe ka kryer arrestime dhe privim të kundërligjshëm nga liria, keqtrajtime fizike dhe psikike.

Në këtë aktakuzë janë përshkruar mënyrat dhe rrethanat e keqtrajtimeve dhe arrestimeve të popullsisë civile shqiptare, të cilët nuk ishin të përfshirë në luftë.

Në aktakuzë thuhet se nga data 3 shtator 1998 deri më 5 shtator 1998, në fshatin Panorc, Komuna Malishevë, me dashje, i armatosur, i uniformuar, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, me qëllim të frikësimit, dëbimit masiv dhe spastrimit etnik të popullatës shqiptare, Lazoviq ka arrestuar, ndaluar, torturuar, maltretuar fizikisht dhe psiqikisht, rreth 500 qytetarë civilë, të cilët nuk ishin të përfshirë në konflikt.

Aty thuhet se banorët e fshatrave të Malishevës dhe Klinës së bashku me familjet e tyre, ishin detyruar që të largoheshin nga fshatrat dhe shtëpitë e tyre, duke shkuar në drejtim të bjeshkëve të fshatit Panorc dhe më të arritur në fshat popullata civile has në një postbllok të forcave policore serbe, të cilët e kishin rrethuar zonën ku ndodhej popullata civile, ku thuhet se forcat serbe fillimisht i ndajnë burrat nga gratë dhe fëmijët, këtyre të fundit u japin urdhër të largohen kurse rreth 500 meshkuj civilë shqiptarë i arrestojnë dhe i dërgojnë në drejtim të shkollës së fshatit, ku gjatë rrugës i maltretojnë dhe i rrahin, në mesin e tyre edhe të dëmtuarin Ahmet Zenuni.

“…me të arritur te shkolla që të gjithë i vendosin nëpër klasa të shkollës dhe i mbajnë të bllokuar për rreth 30 orë kundërligjshëm, në kushte të rënda jetese, duke ua mohuar të drejtat themelore të tyre për ushqim, ujë, nevoja fiziologjike dhe kësisoj forcat serbe, brenda shkollës kishin ndarë një klasë të veçuar nga klasët e tjera ku i mbanin të ndaluarit, në të cilën kishin qenë disa policë bashkë më të pandehurin Sërgjan Lazoviq, të cilët fillimisht i selektonin disa nga të ndaluarit, më pas i merrnin një nga një dhe i dërgonin në atë klasë për t’i marrë në pyetje dhe për t’i rrahur, në mesin e tyre edhe të dëmtuarit Z.B., R.G., dhe R.B., të cilët i torturonin fizikisht me armë, mjete të forta si shkopinj prej druri, mjete të punës dhe kabllo, duke u shkaktuar dhimbje të mëdha fizike dhe psikike, me ç’rast 13 prej tyre i arrestojnë dhe i dërgojnë në Burgun e Dubravës, kurse të tjerët i lirojnë”, thuhet në aktakuzë.

Tutje, thuhet se gjatë periudhës kohore të cekur në dispozitivin I, të kësaj aktakuze, forcat policore dhe ushtarake serbe ku bënte pjesë edhe i pandehuri Lazoviq morën pjesë në dëbimin e popullsisë civile nga shtëpitë e tyre, ashtu që duke përdorur një dhunë sistematike dhe gjerësisht të përhapur fillimisht kishin rrethuar fshatin Panorc dhe fshatrat përreth dhe pastaj i kishin bombarduar me artileri të rëndë, kurse në fund kishin hyrë me këmbësori dhe kishin shkuar shtëpi për shtëpi dhe nën kërcënimin e armëve i kishin detyruar banorët që të largohen nga shtëpitë e tyre, duke i obliguar që në kolonë të largohen në drejtim të Shqipërisë.

Më tej, thuhet se ata plaçkitën të gjitha shtëpitë dhe mjetet transportuese të civilëve, kurse në fund i dogjën të gjitha duke u shkaktuar dëme të mëdha materiale.

Me këto, Sërgjan Lazoviq  akuzohet se në bashkëkryerje, e ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (tutje “LP-RSFJ”) si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale./BetimipërDrejtësi