Dëshmitari që pa sulmin terrorist në Banjskë: Dëgjoheshin britma, kishim frikë se mos na qëllonin ndonjë plumb
Turisti nga Maqedonia e Veriut, i cili kishte përjetuar traumë të rëndë psikologjike gjatë sulmit në Banjskë dhe që kishte qenë i shoqëruar me familjen e tij edhe me një fëmijë me autizëm, ka dëshmuar në seancën gjyqësore për rastin e sulmit në Banjskë ndaj të akuzuarve Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq. Gjatë…
Lajme
Turisti nga Maqedonia e Veriut, i cili kishte përjetuar traumë të rëndë psikologjike gjatë sulmit në Banjskë dhe që kishte qenë i shoqëruar me familjen e tij edhe me një fëmijë me autizëm, ka dëshmuar në seancën gjyqësore për rastin e sulmit në Banjskë ndaj të akuzuarve Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq.
Gjatë seancës së mbajtur të mërkurën, përmes lidhjes online u dëgjua dëshmitari Goran Tanevski nga Maqedonia e Veriut, i cili gjatë sulmit kishte qenë turist në një hotel në Banjskë, në Kosovë.Prokurori special Naim Abazi e pyeti dëshmitarin nëse kishte tejkaluar ankthin e përjetuar gjatë sulmit, ndërsa dëshmitari deklaroi se ende përballet me probleme të tilla psikologjike.Dëshmitari Goran Tanevski ka konfirmuar se vazhdon të ketë edhe më tej probleme.
“Edhe më tej kam probleme të tilla”, tha dëshmitari.Dëshmitari konfirmoi se në ditën e sulmit kishte qenë në Banjskë si turist bashkë me bashkëshorten, fëmijët e tij të mitur, motrën dhe dhëndrin, me qëllim pushimi dhe vizite në manastir.“Unë, shoqja ime, fëmija im i mitur, motra ime dhe dhëndri im. Ideja ishte që të pushojmë në Banjskë dhe ta vizitojmë manastirin”, tha ai.
Prokurori ka pyetur se a ka vërejtur persona të tjerë që nuk dukeshin si turistë?Ai deklaroi se në mëngjesin e ditës së sulmit nuk kishte parë persona që dukeshin si turistë, ndërsa në momentin e sulmit dëgjoheshin të shtëna armësh dhe më pas kishte parë persona të uniformuar rreth hotelit, dy prej tyre jashtë objektit dhe një brenda hotelit, të armatosur.
“Deri në ditën e ndodhjes, në atë mëngjes nuk kam parë persona që janë dukur turistë. Në ditën që ndodhi kjo dëgjoheshin gjuajtje, ne nuk mund të shihnim asnjë, por në atë mëngjes pamë persona të uniformuar rreth hotelit dhe kishte një në hotel. Njerëzit që i pamë jashtë hotelit, pamë dy veta në uniformë, pa shenja dhe me armë ushtarake. Ai që ishte në hotel mund t’ia shihnim vetëm pushkën, kurse uniformën jo, sepse ne ishim poshtë shkallëve dhe ai po kërkonte batanije apo diçka të tillë. Nën dritaren në të cilën ishim të vendosur ne, nga dritarja për personin që po flas mund të kishte municion, kishte bombë.”Dëshmitari tha se njëri nga personat e uniformuar kishte kërkuar çarçaf dhe mysafirët i kishin dhënë batanije, ndërsa më pas mysafirëve u ishte kërkuar të qëndronin në dhoma dhe të mos dilnin jashtë hotelit. Ai shtoi se personat e armatosur komunikonin në gjuhën serbe dhe se kishte arritur të kuptonte vetëm fjalët “tërhiquni lart”.
“Na kërkoi një çarçaf. Kur ai kërkoi, unë isha në pjesën tjetër të hapësirës, ndërsa gruaja i ka dhënë një batanije. Sa i përket pyetjes së kufizimit në dhoma, nuk kishte diçka të tillë, kishte një thirrje që të qëndronim në dhomë, sepse dikush dëshironte të dilte. Ne u nisëm për të dalë, por na u tha të ktheheshim në hotel. Dikush na tha prej katit të hotelit. Unë doja të dal që të shoh automjetin tim, por dikush na tha që të kthehemi. Mendoj se ishte një nga personat e uniformuar, sepse ai person kishte edhe armë me vete. Në gjuhën serbe”, tha ai.
Sipas dëshmisë së tij, gjatë së dielës pasdite ishte ndërprerë edhe furnizimi me ujë, ndërsa mysafirët ishin detyruar të fshiheshin në podrum për disa orë për shkak të të shtënave dhe shpërthimeve jashtë hotelit.“Të dielën pasdite ishte një moment që edhe uji u ndal dhe nuk kishim mundësi që të shkonim as në tualet. Vështirësitë ishin fillimisht si rezultat i gjuajtjeve dhe eksplodimeve që ishin jashtë hotelit. Pastaj, kur zbardhi dita të nesërmen, kur i pamë këta persona të uniformuar, vendosëm që të fshiheshim në podrum. Dhe aty qëndruam 2-3 orë, pastaj u ndalën gjuajtjet një kohë dhe u kthyem në dhomë. Kjo ishte arsyeja e vështirësive për shkak të gjuajtjeve nga personat e uniformuar”, tha ai.
Ai deklaroi se ngjarja kishte lënë pasoja të rënda psikologjike tek ai dhe familja e tij, duke theksuar se pas asaj dite kishte vendosur të mos kthehej më në Kosovë.Dëshmitari tha se edhe sot ndjen stres, pasiguri dhe frikë kur kujton ngjarjen, duke shtuar se përjetimi ishte edhe më i rëndë për faktin se me vete kishte edhe një fëmijë me autizëm.Ai deklaroi se të hënën paradite kishin arritur të largoheshin nga zona nën sigurimin e Policia e Kosovës, pas një periudhe të gjatë frike dhe pasigurie gjatë qëndrimit në hotel.“Unë prej asaj dite vendosa që të mos vij asnjëherë në Kosovë. Ajo që ndodhi atë ditë asnjëherë nuk mund ta harroj. Unë i dërgova ata atje që të pushonim, unë u ndjeva përgjegjës për atë që ata përjetuan. Edhe sot e kësaj dite, kur më kujtohet për atë që ndodhi, ndjej stres, pasiguri dhe frikë. Në orën 15:00 dëgjuam gjuajtje dhe eksplodime. Kjo ndodhi derisa nuk zgjati dita. Kishim frikë se mos na qëllonin ndonjë plumb. Pastaj, kur zbardhi dita, pamë ushtarë jashtë me armë, kishte edhe më tej gjuajtje. Kur u ndal gjuajtja, unë komunikova me ministrinë e jashtme dhe mu tha se nuk mund të shkoja se nuk është e sigurt. Gjithë ditën ishte dilema se a do të shkonim apo jo. Ne shkuam të hënën, do të thotë paradite, dhe shkuam duke na siguruar Policia e Kosovës. Gjithë ajo kohë paraqet stres dhe frikë. Unë kam një fëmijë me autizëm që ka qenë aty, nuk e di a dini çfarë do të thotë kjo”, tha ai.