​Dëshmitari në rastin e Milorad Gjokoviqit: 10 vjet burgim-dënim qesharak, ku është drejtësia, ku janë vrasjet, kufomat?

Halit Gashi, dëshmitari në rastin e Millorad Gjokoviqit, e vlerësoi qesharak dënimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës me 10 vjet burgim për kwtw të akuzuar për krime lufte në vitin 1999. Ai tha se dënimi nuk mund të kthejë jetën e personave të vrarë në luftë, porse drejtësia është obligim. Gashi përmendi edhe familjarët e…

Lajme

21/10/2026 15:14

Halit Gashi, dëshmitari në rastin e Millorad Gjokoviqit, e vlerësoi qesharak dënimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës me 10 vjet burgim për kwtw të akuzuar për krime lufte në vitin 1999.

Ai tha se dënimi nuk mund të kthejë jetën e personave të vrarë në luftë, porse drejtësia është obligim.

Gashi përmendi edhe familjarët e tij të vrarë.

“Asnjë dënim nuk mund të kthejë jetën e atyre që u morën padrejtësisht, por triumfi i së vërtetës është obligim. Për vrasje asnjë ditë dënim, gjykata nuk e dha. Shumë dobët, nuk e di çfarë dënimi është ky. Qesharak. Ku është drejtësia, ku janë vrasjet, kufomat?! Kemi bërë obduksionin e tyre, i kemi nxjerrë nga varrezat. Më 8 korrik 2022, ashtu ekspertiza është dalë, me dy plumba të vrarë, dy persona i kam të vrarë në të njëjtin vend. I njëjti vrasës, ato nuk janë marrë për bazë”, tha Gashi.

Ai bëri të ditur se do të ankohen në Gjykatën e Apelit.

“Menjëherë, në apel, ftoj ndërkombëtarët që të marrin pjesë në këtë gjykim e të shohin se ku jemi.. Nurija ka qenë prezente, nuk e kam ditur, vetëm kur ka ardhur. Ajo ka qenë në pjesëmarrje që i ka parë tetë vrasje, familjen Krasniqi, Shala dhe të Esat Morinës. Ajo ka dëshmuar këtu mbi tre herë”, tha ai.

Trupi gjykues më 27 korrik të këtij viti kishte rihapur shqyrtimin gjyqësor në këtë rast penal, pasi në Institutin për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë nuk ishte gjetur deklarata e dëshmitares Nurije Krasniqi, të cilën ajo kishte thënë se e kishte dhënë në polici pas përfundimit të luftës.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 23 qershor 2023, Millorad Gjokoviq akuzohet se në vitet 1998-1999, në fshatin Ozdrim, Komuna e Pejës dhe në fshatrat përreth regjionit të Pejës, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, ka aplikuar masat e vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës, trajtimit në mënyre mizore dhe çnjerëzore, mbajtjes në kushte skllavërie, dëbimit dhe deportimit të dhjetëra civilëve shqiptarë. Akuzohet edhe për plaçkitje, djegie dhe shkatërrimin e shtëpive të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar.