Derisa afati kushtetues po përfundon, sot mbahet seanca e 51-të konstituive e Kuvendit të Kosovës

Sot, nga ora 11:00 do të mbahet seanca e 51-të me radhë konstituive e Kuvendit të Kosovës. Gjatë 50 seancave paraprake, deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës nuk kanë arritur të gjejnë një koncensus apo të bëjnë një marëveshje politike për t’i mbledhur 61 vota që të votojnë kandidates për kryeparlamentare të VV-së. Nga…

Lajme

23/07/2025 08:11

Sot, nga ora 11:00 do të mbahet seanca e 51-të me radhë konstituive e Kuvendit të Kosovës.

Gjatë 50 seancave paraprake, deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës nuk kanë arritur të gjejnë një koncensus apo të bëjnë një marëveshje politike për t’i mbledhur 61 vota që të votojnë kandidates për kryeparlamentare të VV-së.

Nga 19 prilli deri më 1 maj, në votim për kryeparlamentare ishte kandidatja e VV-së, Albulena Haxhiu e cila nuk arriti t’i marrë asnjëherë më shumë se 57 vota, ndërkaq që nga 1 maji e deri në seancën e fundit dhe kjo pritet të vazhdoj, kryesuesi i seancës së Kuvendit, Avni Dehari ka kërkuar të votohet një komision për votim të fshehtë.

Partitë opozitare nuk kanë propozuar asnjë anëtarë të këtij kandidati dhe as nuk kanë votuar këtë komision pasi sipas tyre, ndërrimi i procedurës së votimit në mes të seancës është jokushtetues.

Në lidhje me këtë, AAK dhe disa deputetë të tjera iu janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese të cilët kanë kërkuar interpretim nëse është kushtetuese apo jo që të ndërrohet procesi i votimit, por që më 26 qershor, Gjykata Kushtetuese i ka dhënë afat 30 ditor deputetëve të Kuvendit të Kosovës ta konstituojnë atë.

Ky afat përfundon të shtunën, më 26 korrik ndërsa Kuvendi mbetet i pakonstituuar.

Presidentja Vjosa Osmani i është drejtuar ditën e djeshme Gjykatës Kushtetuese lidhur me ngërçin institucional dhe afatin e caktuar për konstituim në Aktgjykimin e Kushtetueses që përfundon me 26 korrik dhe pasojat nëse konstituimi nuk bëhet brenda afatit.

Përmes kësaj kërkese kërkohet miratimi i kërkesës për masë të përkohshme; vlerësimi preventim i konfliktit të kompetencave mes institucioneve kushtetuese në rast të konstituimit pas afatit kushtetues; zgjidhja e konfliktit kushtetues të kompetencave, përfshirë lidhur me pasojat juridike të mungesës së konstitutimit të Kuvendit brenda afatit që ka përcaktuar Kushtetuesja; zgjidhja e konfliktit kushtetues të kompetencave, përfshirë lidhur me pasojat juridike të konstituimit të Kuvendit pas afatit të caktuar; të zgjidhë konfliktin e kompetencave, përfshirë lidhur me pasojat në ushtrimin e kompetencave të Presidentes së Republikës në raport me një Kuvend që mund të konstituohet pas afatit të caktuar në nenin 66 (1) të Kushtetutës dhe Aktgjykimit dhe në fund t`i sqarojë të gjitha efektet e tjera juridike lidhur me moskonstituimin e Kuvendit brenda afatit kushtetues.

Në adresë të Kushtetuteses tashnë janë dërguar edhe dy kërkesa, nga PDK dhe LDK. Këto dy parti i janë drejtuar Gjykatës lidhur me tri vazhdimet e seancës konstituive pas Aktgjykimit. /Lajmi.net./