Deputetja e PDK-së kritikon bllokadën në Kuvend: Udhëheqësi i seancave nuk po respekton Kushtetutën

Deputetja më e re e Kuvendit të Kosovës, e cila vjen nga radhët e PDK-së, Sala Jashari ka reaguar pas disa dështimeve radhazi për konstituimin e Kuvendit. Ajo ka thënë se është bërë e qartë se shumica parlamentare nuk e përkrah kandidaten aktuale për kryetare të Kuvendit. “Pas kaq shumë dështimesh për ta konstituuar Kuvendin…

Lajme

11/05/2025 11:41

Deputetja më e re e Kuvendit të Kosovës, e cila vjen nga radhët e PDK-së, Sala Jashari ka reaguar pas disa dështimeve radhazi për konstituimin e Kuvendit.

Ajo ka thënë se është bërë e qartë se shumica parlamentare nuk e përkrah kandidaten aktuale për kryetare të Kuvendit.

“Pas kaq shumë dështimesh për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës, është bërë e qartë: Parlamenti nuk e dëshiron kandidaten aktuale për Kryetare të Kuvendit,” ka deklaruar Jashari në një reagim në Facebook.

Ajo ka shprehur frustrimin e saj si deputete përballë një procesi që sipas saj po dëmton seriozitetin e institucionit më të lartë ligjvënës në vend.

“Si deputete, ndjej frustrim që nuk mund të ndërhyj në një proces që po dëmton seriozitetin e institucionit,” ka thënë ajo.

Jashari theksoi rëndësinë e respektimit të rregullave dhe procedurave të punës së Kuvendit, duke kritikuar udhëheqësin aktual të seancave për mungesë të këtij standardi.

“Për mua është parimore të respektoj rregullat dhe procedurat e Kuvendit, si dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Fatkeqësisht, këtë standard nuk po e mban udhëheqësi aktual i seancave,” u shpreh Jashari.