“Deputeti nuk e ka përdorur këtë fjalë” – Veton Berisha reagon pasi u tha se gjatë incidentit nga Zemaj u përdor një fjalë fyese për komunitetin
Deputeti i komunitetit egjiptian, Veton Berisha, ka reaguar lidhur me polemikat për incidentin e deputetit të LDK-së, Armend Zemaj, me një qytetar në sheshin e Prishtinës, duke sqaruar se Zemaj nuk e ka përdorur fjalën fyese “magjup”, siç ishte raportuar fillimisht. Berisha ka bërë të ditur se e ka kontaktuar personalisht deputetin Zemaj, i cili…
Lajme
Deputeti i komunitetit egjiptian, Veton Berisha, ka reaguar lidhur me polemikat për incidentin e deputetit të LDK-së, Armend Zemaj, me një qytetar në sheshin e Prishtinës, duke sqaruar se Zemaj nuk e ka përdorur fjalën fyese “magjup”, siç ishte raportuar fillimisht.
Berisha ka bërë të ditur se e ka kontaktuar personalisht deputetin Zemaj, i cili e ka siguruar se videoja e publikuar në media ishte e prerë qëllimisht, me synim “rëndimin e situatës”.
“Deputeti më ka vënë në dispozicion videon origjinale, pa prerje, dhe nga ajo video vërtetohet se është përdorur fjala ‘majmun m…’, e jo ‘magjup m…’,” ka shkruar Berisha.
Postimi i plotë i Berishës:
E vërteta e fjalëve të përdorura nga deputeti Armend Zemaj gjatë incidentit me qytetarin
Pas reagimeve të shumta dhe të arsyeshme për dyshimet se gjoja është përdorur fjala “magjup m…”, e kontaktova personalisht z. Armend Zemaj dhe i paraqita shqetësimin tim lidhur me këtë çështje.
Z. Zemaj më siguroi se fjala “magjup” nuk është përdorur nga ai dhe, sipas tij, prerja e videos që është publikuar nga disa media ka qenë e qëllimshme, me synim rëndimin e situatës.
Deputeti më ka vënë në dispozicion videon origjinale, pa prerje, dhe nga ajo video vërtetohet se është përdorur fjala “majmun m…”.
Si Partia Liberale Egjiptiane – PLE , ne nuk pajtohemi me asnjë formë të provokimit, fyerjes apo dhunës. Megjithatë, kemi edhe obligim moral e politik të jemi korrektë ndaj secilit, përfshirë edhe deputetin Armend Zemaj. Për këtë arsye, i kërkojmë ndjesë publike për reagimet tona të ngutshme.
P.S. Është e qartë se oponentët tanë politikë janë përpjekur edhe në këtë rast të na sulmojnë, madje duke përdorur ofendime të rënda. Por ne kemi mjaftueshëm pjekuri politike që të mos veprojmë me ngut, por me maturi dhe përgjegjësi./Lajmi.net/