Deputeti kanadez, dhëndër i Kosovës: “Kjo është thellësisht personale për mua”, uron 18-vjetorin e Pavarësisë
Deputeti kanadez, Kyle Seeback, ka uruar të gjithë qytetarët e Kosovës me rastin e shënimit të 18-vjetorit të pavarësisë. Seeback është i martuar me shqiptare nga Kosova, ndërkaq në fjalimin në parlamentin kanadez uroi shqiptarët për 18-vjetorin e pavarësisë, duke potencuar marrëdhëniet e mira ndërmjet Kosovës dhe Kanadasë. “Kosova shënon 18 vjetorin e pavarësisë javën…
Lajme
Deputeti kanadez, Kyle Seeback, ka uruar të gjithë qytetarët e Kosovës me rastin e shënimit të 18-vjetorit të pavarësisë.
Seeback është i martuar me shqiptare nga Kosova, ndërkaq në fjalimin në parlamentin kanadez uroi shqiptarët për 18-vjetorin e pavarësisë, duke potencuar marrëdhëniet e mira ndërmjet Kosovës dhe Kanadasë.
“Kosova shënon 18 vjetorin e pavarësisë javën e ardhshme – dhe për mua, kjo është thellësisht personale.
Kanada ka një miqësi të gjatë me Kosovën dhe jam krenar që jemi ndër të parat shtete që e kemi njohur pavarësinë e Kosovës. Gruaja ime është nga Kosova dhe kemi kaluar një pjesë të muajit të mjaltit atje ku e kemi shijuar ushqimin e jashtëzakonshëm dhe kam mësuar shumë për kulturën e tyre të pasur.
Kosovarët janë shumë krenarë me vendin e tyre. Dhe kam një këshillë, nëse jeni në Kosovë shkoni në Rahovec dhe pini makiato, kafja më e mirë që kam pirë në jetën time”, tha Seeback para ligjvënësve kanadezë.
Ai tutje tha se djali i tij quhet William Kastritot Seeback, sipas heroit të shqiptarëve.
“Për kosovarët këtu në Kanada dhe anembanë botës ‘Urime Dita e Pavarësisë”, tha Seeback.